Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 16:35

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i shprehu të hënën mirënjohjen e thellë  qytetarëve shqiptarë, të cilët me votën e tyre ndaj koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në zgjedhjet e 8 majit shprehën mbështetjen për reformat e thella transformuese të qeverisë.

“Shpreh mirënjohjen time të pakufishme për këtë vlerësim të ndershëm që qytetarët shqiptarë iu bënë reformave të thella të kësaj qeverie, arritjeve të tyre historike dhe mbështetjes për transformimet e mëdha të vendit, i cili po shkon drejt finalizimit të sistemit rrugor, më moderni në rajon dhe një nga më modernët në Evropë”, theksoi kryeministri.

Kjo, vijoi, “ai është një energji e madhe, mbështetje dhe inkurajim për të vazhduar me vendosmëri reformat më të mëdha në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë sa më shpejt atë që meritojnë dhe që është konturuar në këtë fushatë: Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”.

Në komunikimin e sotëm me gazetarët Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se përdori fjalë të pakëndshme ndaj tij dhe koalicionit të djathtë, ndërsa ai vetë iu shmang çdo lloj etiketimi.

“Në këto zgjedhje u përballën dy platforma: ‘Fajin e ka Saliu’ dhe ‘Ju jeni të parët’. Unë u mora me të ardhmen më shumë dhe pjesërisht me ato arritje që kemi arritur, ndërsa kundërshtari im mblodhi fjalorin e të gjithë kazanëve të Shqipërisë dhe e hodhi mbi mua, por nuk mori asnjë etiketim nga ana ime”, tha Berisha.