Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 10:41

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha vijoi të shtunën pasdite takimet elektorale në bashkinë e Vaut të Dejës në qarkun e Shkodrës, ku u premtoi banorëve se në katër vitet që vijnë investimet në këtë zonë do të jenë pesë herë më të mëdha se katër vitet që shkuan dhe se së shpejti Vau i Dejës do të jetë nyje e transportit drejt alpeve dhe Kosovës perëndimore.

Kryeministri Berisha prezantoi Gjon Markun si kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për bashkinë e Vaut të Dejës. “Qeveria do të mbështesë çdo projekt të kandidatit Marku”, tha Kryeministri i cili ftoi banorët që ta votojnë atë si një mundësi reale për të transformuar Vaun e Dejës në një qytet modern.

Duke iu referuar kërkesave të qytetarëve për ndërtimin e argjinaturave, unazën e qytetit, etj, Kryeministri garantoi se këto kërkesa do të marrin zgjidhje në 4 vitet që vijnë sikundër çdo projekt për të asfaltuar çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie dhe të tetë fshatrave të saj, për të ndërtuar e rindërtuar çdo shkollë, çdo kopsht e çdo qendër shëndetësore.

Kryeministri prezantoi disa nga veprat publike që pritet të realizohen në këtë zonë. “Qeveria do të asfaltojë rrugën Vau i Dejës- Shkodër, ka përfunduar projekti i autostradës Koman – Fierzë. Vau i Dejës do të bëhet nyje kryesore e transportit drejt veriut, drejt alpeve, drejt Kosovës perëndimore”, deklaroi Berisha.

Kryeministri renditi para banorëve edhe disa prej arritjeve të maxhorancës, si anëtarësimi i vendit në NATO, lëvizja e lirë, rritja e rrogave dhe pensioneve dhe situata ekonomike e favorshme në vend.

Nga Vau i Dejës, Berisha u kërkoi shqiptarëve të bashkohen për t’i thënë udhë të mbarë në shtëpinë e vetmisë politike kreut të selisë rozë, Edi Rama. “Edi Rama zgjodhi për lajtmotiv të kësaj fushate sloganin e “E vetmja rrugë”, që nxori atë nga arkivat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se rruga e vetme e z. Rama ishte rruga për të kundërshtuar çdo projekt për Shqipërinë.