Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 15:56

Tiranë – Votat e rregullta për kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë, të gjetuara në kuti të tjera, do të verifikohen deri në fund, për të marrë vlerësimin përfundimtar dhe kjo është detyrë e institucioneve ligjore.

Ky është qëndrimi që kryeministri Sali Berisha e bëri publik gjatë një konference për mediat, një ditë pas përfundimit të numërimit të votave për kandidatët për Tiranën.

Shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, u shpreh se përveç aspektit ligjor, në një rast të tillë selia blu do t’iu referohet edhe precedentëve të ngjashëm që janë regjistruar në vend gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2007.

Por, përtej të gjitha pretendimeve shefi i qeverisë Berisha garantoi edhe njëherë se Partia Demokratike do të pranojë çdo rezultat që do të çertifikohet nga KQZ dhe se do të qëndrojë pas çdo votë të kontesuar me qëllim që ato të kenë të njëjtën peshë.

Sipas shefit të qeverisë, në komunën Temal në Shkodër, në vitin 2007, kandidati demokrat u shpall fitues me 3 vota, por pasi u gjetën 7 vota në një kuti tjetër në favor të kandidatit socialist, pas vendimit të gjykatës për vlefshmërinë e votave, fitorja e i shkoi kandidatit socialist.

Ndërsa duke iu referuar rezultatit të votës popullore në të cilën mazhoranca rezulton me 72 mijë vota para opozitës, shefi i qeverisë, Berisha, deklaroi se kjo është përgjigja për deklaratën e Ramës gjatë fushatës së zgjedhjet lokale të 8 majit, do të ishin një votë referendare kundër pushtetit aktual.