Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 18:49

Tiranë – Vetëm një orë pas incidentit elektoral të radhës, ku u plagos një militant i PS, në Sukth të Durrësit, kryeminsitri Sali Berisha iu bëri thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin që të shmangin incidentet gjatë fushatës elektorale.

Shefi i qeverisë shqiptare ishte në Kamëz ku prezantoi kandidatin dhe kryetarin aktual të bashkisë Xhelal Mziu. Berisha në apelin e tij për qetësi, deklaroi se kjo fushatë  duhet të jetë në lartësin e vlerave qytetare dhe tolerancës. Ndërkohë shefi i qeverisë e cilësoi Kamzën si një nga shembujt e zhvillimit të qyteteve në Shqipëri dhe premtoi se në katër vitet e ardhshme investimet infrastrukturore në këtë zonë do të jenë të shumta.

Duke folur për alterantivën që ofron opozita, Berisha deklaroi se Rama u kthye edhe një herë tek rruga e etërve të tij. Në fjalën e tij kryetari i bashkisë dhe kandidati për Kamzën Xhelal Mziu ndërsa e cilësoi kryeministrin Berisha si arkitektin e Shqipërisë moderne, kërkoi votën qytetarëve të tij edhe për një mandat katër vjeçar për të vijuar zhvillimin.