Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 17:14

Tiranë – Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda mandatit, por edhe ajo që lidh Peshkopinë me të, si dhe rrugët e komunave të Dibrës me rruget nacionale. Ky dhe garantimi i ujit të pijshëm 24 orë ishin disa nga premtimet e kryeministrit Berisha nga Peshkopia, ku kërkoi mbështetje për të mbajtur edhe për një mandat kryetar të Bashkisë, Ilir Krosoin.

Lideri demokrat deklaroi se Shqipëria po ecën e sigurt drejt revolucionit industrial. Kryeministri Berisha tha se është e afërt dita kur Shqipëria do të renditet në grupin e vendeve me industri të zhvilluar, një ndër vendet me moshë digjitale më të avancuar dhe me arsimin më të zhvilluar.

Sot, theksoi kryeministri, Shqipëria është destinacioni kryesor turistik i planetit. Por, kreu i qeverise këmbënguli në ftesën e tij ndaj fermerëve për të mbjellë drurë frutorë, ndërsa premtoi ndërtimin e sistemeve moderne të vaditjes.

Kreu i qeverisë tha se në alternativën e Aleancës për Qyterain ka vend për çdo dibran dhe se banorët e këtij rrethi nuk kanë nevojë për rrugën e shkuar të vetmisë.

Berisha shfrytëzoi rastin për t’u treguar të rinjve që nuk e kanë njohur diktaturën historinë e tij tremujore si mjek në spitalin Peshkopisë, kur vendi ishte në komunizëm.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje dibranëve që me 8 maj të votojnë të lirë e të dëshmohen si qytetarë europianë.

Kryeministri Berisha prezantoi edhe në Klos kandidatin për bashkinë, Ramazan Mjeshtrin, ku veçoi si një ndër projektet madhore për zhvillimin e kësaj zone ngritjen e industrisë së përpunimit të kromit, nga e cila pushteti vendor do të përfitojë rentën.

Ky premtim u dha edhe në Bulqizë ku kryeministri Berisha prezantoi Roland Ketën, të cilit i kërkoi t’iu përkushtohet tërësisht minatorëve, për përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës.

Duke e cilësuar Rrugën e Arbrit, rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit.