Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 20:52

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që të heqë dorë nga thirrjet e tij ultimative, pasi “institucioni i KQZ-së që ata duan të sulmojnë, po funksionon dhe po merr vendime vetëm në bazë të ligjit”.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se, “u bënë përpjekje për të asgjësuar institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve për Tiranën, komisionit zonal të Tiranës, rolin e së cilës e ka marrë përsipër KQZ në bazë të ligjit”.

Kryeministri theksoi se anëtarët e KQZ-së po numërojnë votat e panumëruara të qytetarëve të Tiranës, që për shkak të mos vëmendjes dhe mos përgjegjësisë së organizatorëve në qendrën e votimit, nuk u orientuan si duhet.

‘Ju jeni dëshmitarë të sulmeve primitive agresive të deputetëve socialistë ndaj njerëzve me uniformë të këtij shteti, se si kacavirreshin ata sipër kokave të atyre që po mbrojnë KQZ prej tre ditësh me radhë. Kryetari i PS-së dhe lejtnantët e tij me një fjalor ndër më të papranueshmit, me një agresion verbal të paparë dhe me akte brutale të organizuara me kërcënime të gjithanshme, kërkojnë të ndalojnë zemrekun e sistemit electoral”, tha Berisha.

Berisha tha se “janë këta njerëz që urdhërojnë djegien e gomave rrugëve dhe kërcënojnë kryetarin e KQZ dhe anëtarët e këtij komisioni”.

“Ata bëjnë plane për të sulmuar godinën e KQZ dhe për të djegur materialet e votimit”, tha Berisha duke siguruar se ata do të përballen vetëm me ligjin.

Kryeministri garantoi se do të respektohet e drejta e opozitës për protestë, por sipas tij dhuna e cilësdo natyre qoftë, do të përballet me të gjithë rreptësinë e ligjit.

Ai paralajmëroi Edi Ramën dhe gjithë ata që nxisin sulmin ndaj KQZ-së se “institucionet e këtij vendi do të mbrohen me forcën e ligjit dhe askush nuk do të mund të shkelë fletët e votimit”.

Berisha tha se për shkak të situates në vend, Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso vendosi të shtyjë vizitën e tij të rendësishme në Shqipëri.

Sipas Berishës “kjo situatë e dëmton statusin e vendit kandidat, pasi kur ka njerëz që përpiqen të bllokojnë KQZ-në, kur deputetë pushtojnë sallën dhe agresojnë zyrtarët më të lartë të këtij komisioni, kur njerëz me imunitet kacavirren si primitiveë mbi supet dhe kokat e policëve dhe bëjnë thirrje për gjak dhe revoltë, natyrisht këto janë jashtë standardeve europiane”.

“Ne do ecim me këmbëngulje drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe do të kemi statusin e vendit kandidat në BE atëherë kur ta meritojmë”, tha Berisha.