Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:30

Tiranë – “Pogradeci do të shndërrohet në kryeqendrën e turizmit në Shqipërinë Juglindore”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit në qytetin e Pogradecit, ku ftoi qytetarët të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Luan Topçiu.

Në fjalën e tij para qytetarëve të Pogradecit, Berisha siguroi se qeveria do të mbështesë të gjitha projektet e qeveritarëve vendorë për zhvillimin e këtij qyteti dhe komunave të tij.

Kryeministri siguroi se me investimet dhe vëmendjen e qeverisë, Pogradeci do të bëhet i njohur në mbarë Europën dhe botën për potencialin e tij të jashtëzakonshëm turistik dhe bukuritë e tij mahnitëse.

Berisha garantoi se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm turistik të Pogradecit, por edhe mbarë Shqipërisë.

“Ne mblidhemi këtu të vendosur që në çdo skaj të këtij rrethi dhe qyteti të ndërtojmë ëndrrën tonë europiane, Pogradecin dhe Shqipërinë europiane”, tha Berisha, duke siguruar se do të ndërtohet infrastruktura më moderne në Pogradec.

Berisha siguroi se qeveria do të ndërtojë ujësjellësat më të mirë dhe shkolla të standardeve europiane dhe do t’i bëjë të njohura në mbarë Europën potencialet e këtij qyteti. “Pogradeci, kopshti më i bukur i vendit dhe Shqipëria, kopshti më i bukur i Europës, është dhe mbetet diviza jonë”, tha Berisha.

Kryeministri shprehu bindjen se me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan shkurtohet ndjeshëm distanca mes Pogradecit dhe kryeqytetit. “Distanca mes Tiranës dhe Pogradecit do të mund të përshkohet për rreth 1 orë. Autostrada Tiranë-Elbasan e bën Pogradecin një qytet turistik të çdo sezoni për të gjithë shqiptarët dhe Europën”, tha më tej Berisha.

Duke e konsideruar 8 majin, Ditën e Europës, si një datë të madhe për qytetarët dhe kombet e lira të Europës, Berisha tha se “kjo është dita e ngadhënjimit të lirisë dhe vlerave të saj, ndaj dhe shqiptarët duhet ta nderojnë këtë ditë me fisnikërinë më të madhe dhe me respektin tek vota e e lirë”.

“Le të votojmë ne të gjithë për kandidatët e ‘Aleancës për qytetarin’ dhe unë ju garantoj se suksesi i tyre do të shndërrohet në sukses të vërtetë për çdo qytetar”, tha në përfundim Berisha.