Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 07:05

Patos – Kryeministri Berisha ka prezantuar në Patos Dilaver Kamberin për kryetar bashkie të koalicionin  “Aleanca  për  Qytetarin”, ndërsa vlerësoi kandidaturën e tij  si një nga njerëzit më të suksesshëm të  këtij qyteti, biznesmen dhe menaxher i shkëlqyer, i cili do të vihet në shërbim të qytetarëve.

Shefi i qeverisë shqiptare premtoi se në katër  vitet  që vijnë Patosi do të shëndërrohet në një qytet të zhvilluar, në një epiqendër  të fuqishme të  prodhimit të shërbimeve më të mira.

“Zotimi ynë për ju, është patozi 24 orë ujë në të gjithë territorin e tij, po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza, si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit.  Do të rindërtojmë stadiumin e qytetit në mënyrë që aktivitetet  sportive  të njohin nivele të reja zhvillimi. Në qytet  do të krijojmë parkun industrial, në mënyrë që investimet e vendit dhe të huajat  gjatë katër  viteve që vijnë të shumëfishohen  dhe të shndërrohet ky park në një gjenerator  të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit”, tha kryeministri.

Kryeministri akuzoi “qëndrimin nihilist të opozitës dhe liderit të saj Edi Rama”, i cili, sipas tij, mundohet të përçmojë arritjet e rëndësishme të qeverisë në 6 vite, por pavarësisht kësaj, shtoi ai,  qytetarët shqiptarë janë njerëzit e suksesit, të cilët me mundin dhe sakrificën e tyre bënë që Shqipëria të zhvillohet ashtu siç është sot.

“Sipas  kësaj rruge, në Shqipëri paska  1 milion të papunë. Le t’i pyesim udhëtarët  e rrugës së vetmisë, nga rritet kjo ekonomi?  Kush e rrit këtë ekonomi?  Kush i bënë këto prodhime?  Kush i nxjerr këta minerale? Këta  janë  këta të padukshëm?   Jo zotëri, këto janë shqiptarët dhe shqiptarët që kanë derdhur mundin djersën e tyre dhe ti shoku Rama që nga  platforma në platforme dhe nga sheshi në shesh ju deklaron se Shqipëria ka 1 milion të papunë, të ftoj që të thuash edhe atë pjesën tjetër siç  e thoshte Ramizi, 1 milion të papunë, 1 milion hajdut, 1 milion spiunë.  Këta nuk janë shqiptarët, ore zotëri”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.