Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:37

Tiranë – “Në zgjedhjet vendore të 8 majit fituan shqiptarët”, tha të enjten Kryeministri Sali Berisha, ndërsa theksoi vendosmërinë e maxhorancës për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve shqiptarë.

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti në ambientet e Kryeministrisë, grupin e vëzhguesve zgjedhorë të dërguar nga qeveria e SHBA-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit, 2011.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeverinë e saj si dhe vëzhguesit për gatishmërinë dhe kontributin e madh për të siguruar transparencë maksimale në procesin e votimit dhe numërimit të votave, pavarësisht se zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhje vendore.

Kryeministri vuri në dukje se procesi zgjedhor që po zhvillohet, mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht dhe se përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton transparencë dhe saktësi maksimale në këtë proces. Ai theksoi se çdo votë e hedhur në kutitë e votimit për kandidatët e subjekteve të ndryshme, do të numërohet me saktësi të plotë.

Kryeministri Berisha vlerësoi dhe ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të misionit të OSBE/ODIHR, Stonestreet, i cili gjatë prezantimit të deklaratës paraprake theksoi se pavarësisht zgjatjes së procesit të numërimit, ajo që ka rëndësi dhe mbizotëron është saktësia dhe transparenca e këtij procesi.

Duke theksuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve, ai shprehu kënaqësinë se vota e përgjithshme popullore rikonfirmoi besimin dhe mbështetjen e mazhorancës së zgjedhësve ndaj qeverisë.

Ndërsa, Ambasadori Amerikan Aleksander Arvizu, i cili shoqëronte vëzhguesit, vuri në dukje se ky mision vëzhgimi, me rreth 60 vëzhguesit e tij, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor.

Ambasadori Arvizu theksoi se ky mision i veçantë dhe kaq i gjerë vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë, por edhe e angazhimit ndaj vlerave që dy vendet ndajnë së bashku.