Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 17:58

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi sot banorët e Mallakastrës se në 4 vitet që vijnë qeveria do të 6-fishojë investimet për këtë rreth.

Në vijim të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri Berisha ishte sot në Ballsh ku prezantoi Dallëndyshe Allkajn si kandidate për kryetare të kësaj bashkie.

Në fjalën e tij para banorëve, Kreu i Qeverisë shprehu mbështetjen për çdo projekt që zhvillon Ballshin, Mallakastrën dhe çdo komunë. Kryeministri shprehu besimin se në sektorin e naftës do të shumëfishohen investimet, do të fuqizohet prodhimi dhe do të bëhet çdo gjë për mbrojtjen maksimale të mjedisit.

“Ne do të shumëfishojmë investimet në bashkinë e Ballshit, do të asfaltojmë të gjitha rrugët e këtij qyteti, do të ndërtojmë stadiumin dhe të rindërtojmë sistemin e ujësjellës-kanalizimeve. Mjedisi dhe mbrojtja e tij nga nafta do të njohë standardet më të larta”, tha Berisha.

Duke u ndalur te investimet që janë bërë në këtë rreth në 4 vitet që shkuan, Berisha tha se janë ndërtuar 90 kilometra rrugë, janë ndërtuar e rindërtuar 10 shkolla, 10 ujësjellës, 8 qendra shëndetësore dhe janë subvensionuar 400 ha ullishte e vreshta.

Berisha ftoi fermerët e Mallakastrës që në katër vitet që vijnë të mbjellin 4 mijë hektarë ullishte, ndërsa siguroi se qeveria është e gatshme t’i subvensionojë ato. “Kodrat dhe luginat e Mallakastrës, janë terreni më i shkëlqyer për ullirin dhe drurë të tjerë frutorë, ndaj të punojmë bashkërisht për ta shndërruar Mallakastrën në një nga kopshtet më të mëdha të Shqipërisë”, tha Kryeministri.

Alternativa që ofron koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka në qendër interesat e qytetarëve dhe komunitetit, tha Berisha, ndërsa shtoi se “përballë saj qëndron alternativa e rrugës së vetme”.