Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 10:37

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje të mërkurën, të gjithë mbështetësve dhe simpatizantëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” që të të shmangin çdo tension dhe përplasje elektorale, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të kontribuojnë për zhvillimin e fushatës më të qytetëruar, fushatës së vlerave të vërteta.

Kryeministri Berisha hapi sot fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 majit në qytetin e Lushnjes ku prezantoi Albert Sanxhakun si kandidatin me të cilin do garojë “Aleanca për qytetarin” për kreun e kësaj bashkie.

Në fjalën e tij, Kryeministri siguroi se qeveria do të mbështesë çdo projekt të qeveritarëve vendorë, në mënyrë që Lushnja të shndërrohet në një kryeqendër moderne të vendit.

Kryeministri siguroi se do të punohet për ndërtimin e një infrastrukture europiane, në mënyrë që Lushnja të shndërrohet në një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë.

Duke u ndalur te investimet e qeverisë për këtë rreth, Berisha tha se gjatë këtyre viteve qeveria ka investuar në këtë rreth 14 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste.

“Ne kemi ndërtuar në këtë rreth 210 km rrugë, nga të cilat 103 km rrugë kombëtare dhe 107 km rrugë rurale. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 27 shkolla dhe kemi subvensionuar 550 ha dru frutorë”, tha Kryeministri, ndërsa garantoi fermerët e kësaj zone se qeveria është e gatshme të subvensionojë edhe 2000 ha të tjerë në 4 vitet që vijnë.

Kryeministri theksoi se qeveria ka investuar 13 milionë euro në ujësjellësa dhe kanalizimet e Lushnjes ku janë ndërtuar 33 ujësjellësa në fshatrat e saj, si dhe janë investuar 20 milionë euro në sistemin energjetik të Lushnjes.

Berisha premtoi se në 4 vitet që vijnë do të ndërtohet godina e Fakultetit Bujqësor në Lushnje.

Kreu i qeverisë u ndal te situata pozitive që paraqet ekonomia shqiptare, e cila nga një ekonomi e falimentuar e këtij vendi, u shndërrua në ekonominë që tre vitet e fundit kryeson rritjen ekonomike në Europë.

Kryeministri ftoi kandidatët për qeveritarë vendorë që ta shndërrojnë këtë muaj, në muajin e debatit të madh dhe dialogut konstruktiv për të përcaktuar të gjitha përparësitë dhe projektet për të ndryshuar jetën e qytetarëve.

“Krahas kësaj fushate po zhvillohet fushata e rrugës së vetme, e shpifjeve dhe hakmarrjeve që nuk ka asnjë gjë të përbashkët me interesat tuaja. Qytetarët kanë nevojë për projekte, shkolla, rrugë, sisteme vaditje dhe kanalizime”, tha Kryeministri, ndërsa bëri thirrje që kjo fushatë zgjedhore të shndërrohet në fushatën e alternativave.

Sipas tij “shqiptarët duhet të kenë mundësi të zgjedhin midis dy alternativave dhe jo mes projekteve dhe sharjeve që janë dëshmi e një dëshpërimi të thellë dhe një varfërie ekstreme në vizionin e opozitës.

Në përfundim, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që Lushnja turistike të shndërrohet në gjenerator të fuqishëm të mirëqenies për çdo familje lushnjare dhe njëkohësisht ky qytet të ketë polin e vetë industrial.