Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 18:34

Tiranë – “Shqipëria ka një sistem zgjedhor të konsoliduar, procedurat e të cilit garantojnë që vota e  çdo qytetari  vlerësohet dhe numërohet me rigorozitet, përmes një procesi të saktë dhe transparent të numërimi”.

Ky ishte vlerësimi që bënë sot gjatë një takimi në Tiranë, Kryeministri Sali Berisha dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Këshillimit politik dhe Bashkëpunimit në KE, Claudia Luciani.

Sipas zyrës së shtypit te Kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim, Drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit politik dhe Bashkëpunimit, Claudia Luciani, e cila shoqërohej nga Shefi i Zyrës së KE në Tiranë, Marco Leidekker.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan procesin e qetë, demokratik e transparent, si dhe sistemin zgjedhor të konsoliduar në Shqipëri, veçanërisht sistemin transparent të numërimit që e rendit sistemin shqiptar të numërimit në një ndër sistemet me garancinë më të lartë, falë edhe infrastrukturave moderne e dixhitale.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet e KE-se dhe suksesin e një sërë projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit, në fusha të ndryshme, si në luftën kundër korrupsionit me GRECO-n, në fushën e forcimit të mëtejshëm të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e të dhënave, etj.

Luciani i shprehu kryeministrit vlerësimin për zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe transformimin mbresëlënës që Shqipëria ka përjetuar gjatë këtyre viteve te fundit.

Në takim u ripohua dëshira dhe angazhimi i Shqipërisë dhe KE për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha si psh, atë të luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave, sistemit të vuajtjes së dënimit, por edhe ne fusha të tjera si atë të arsimit apo në fushën e barazisë dhe luftës kundër çdo lloj diskriminimi.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha i uroi Shefit të Zyrës së KE-së, në Tiranë, Marco Leidekker, suksese ne detyrën e re, i cili nga ana e tij i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha angazhimin e tij te plotë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në të gjitha fushat me interes të përbashkët.