Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 14:13

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i vlerësoi sot, në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, si “shumë të mira zgjedhjet lokale të 8 majit”, ndërsa deklaroi fitoren e koalicionit të mazhorancës kundrejt atij opozitar në shkallë republike.

Duke i’u referuar rezultateve në shkallë vendi, Kryeministri Berisha, tha se, “flamuri i Partisë Demokratike, që udhëhoqi koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, mori 72 mijë vota më shumë se flamuri i Partisë Socialiste. Ky është triumf i vërtetë i platforms, të bazuar tek vlerat e qytetarit”.

Kryeministri Berisha i cilësoi këto zgjedhje si “shumë të mira”.

“Nuk më takon mua që të jem gjykatës për karakterin e zgjedhjeve, pasi unë kam qenë lojtar në to. Kjo i takon vëzhguesve ndërkombetarë dhe kombëtarë, por në vlerësimin tim, zgjedhjet kanë qenë shumë të mira”, tha Berisha.

Duke u ndalur te zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për qytetarët e Tiranës, të cilët “votuan në këto zgjedhje më shumë se kurrë për qeverisjen e tyre vendore si dhe shprehën ndaj kësaj mazhorance besimin më të madh”.

“Disponojmë të dhëna të pakundërshtueshme se votat e hedhura për zotin Basha, janë disa herë më tepër se e 10-ta e zotit Rama. Dhe, megjithë këtë, ju garantoj se ne do të pranojmë çdo rezultat të vendosur nga institucionet demokratike të vendit. Sikundër do të qëndrojmë prapa vlerësimit të çdo vote të kundështuar, me qëllimin e parë dhe madhor, që vota e qytetarëve të ketë të njëtjtën vlerë, të jetë e barazvlefshme dhe kjo të bëhet në mënyrën më transparente”, tha Berisha.

“Ne kemi arritur një nivel trasparence të paprecedent, të pashembullut të numërimit të votave dhe kjo e bën krenar secilin prej nesh. Vota të ketë çmimin, peshën, vlerën e barabartë, sepse ky përbën një nga parimet themelore të një vendi demokratik, një nga të drejtat më themelore të qytetarëve. Askush nuk ka tagër në këtë vend të shkelmojë mbi votën e hedhur me qartësi të madhe mbi kandidatin dhe partinë e preferuar”, shtoi më tej ai.

Kryeministri Berisha deklaroi se, nuk do të ketë pretendime pa dokumente të qarta ligjore.

“Ne nuk do të kemi asnjë pretendim pa dokumente ligjore të qarta si kristali. Nuk e bazojmë në dyshime qëndrimin tonë”, tha Berisha.

Sipas tij, “shpalljen e fitimtarit do ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni kushtetues i ngarkuar për këtë çështje”.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi edhe mbajtjen e një analize transparente për zgjedhjet pas çertifikimit të rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Nuk jam këtu për analizën përfundimtare, të cilën do ta bëj para jush sapo të përfundojnë rezultatet nga KQZ. Por, ju garantoj një analizë transparente, dinjitoze dhe të përgjegjeshme. Do të bëhet përpjekje për të lexuar çdo votë të qytetarëve”, tha Kryeministri Berisha.