Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 06:35

Cerrik – Kryeministri Sali Berisha u ka premtuar dje pasdite banorëve të qytetit të Cerrikut se në katër vitet që do të vijnë, në qytetin e Cerrikut qeveria do të investojë gjashtë herë më shumë se në katër vitet e kaluara.

Këtë premtim kryeministri e ka bërë gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar Bashkie i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për qytetarin”, Servet Duzha. Ndër të tjera kryeministri Berisha i garantoi qytetarët e Cerrikut se qeveria do të mbështesë çdo projekt që Servet Duzha do të realizojë, si edhe do ta mbështesë për thithjen e investitorëve të huaj në qytetin e Cerrikut.

Ndër të tjera, Kryeministri Sali Berisha e vuri theksin tek projektet që do të realizohen gjatë katër viteve që vijnë në qytetin e Cerrikut. Sipas tij, “në katër vitet që do të vijnë së bashku me Servet Duzhën do të shndërrojmë Cerrikun në një qytet modern të zhvilluar, në një qendër të rëndësishëm të zhvillimit. Do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, kanalizime, ujësjellësa, qendër shëndetësore, do të investojmë për artin dhe kulturën”, tha kryeministri, duke shtuar se “kryetari i Bashkisë është edhe qeveritari juaj, i cili me qëndrimet e tij mund të shndërrojë Cerrikun në një gjenerator të madh”. Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka premtuar banorët se kryetari i ardhshëm i bashkise do të ndihmojë për taksat, të cilat do të shërbejnë për mjedise te gjelberuara, krijimin e bizneseve të reja në Cerrik etj.

Bashkia, tha Kryeministri, mund të tërheqë jo dhjetra por 100- milionë dollarë, ndërsa garantoi qytetarët e Cerrikut që do të mbështese kryetarin e ardhshëm që me praktika transparente mund të bëj disponibël çdo pëllëmbë tokë qofshin industriale apo bujqësore.

Duke u ndalur te arritjet e qeverise shqiptare këto pesë vite, kryeministri edhe një herë deklaroi anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, si edhe rritjen ekonomike të vendit. ” Ne ia dolëm që ekonominë shqiptare tërësisht të falimentuar ta kthejmë në ekonominë më solide në Europë”, tha kryeministri.

Më tej ai ka folur edhe për projektin e madh në Kaskadën e Devollit ku sipas kryeministrit, do të punësohen me qindra gra dhe burra nga Cerriku.

Nga Cerriku kryeministri i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në shtëpinë e shqiptarëve, sepse sipas tij, “kjo është shtëpia e vlerave, moralit, vizionit, interesit, besimit të shqiptarëve. 8 maji është prova jonë e madhe e qëndrimit tonë ndaj lirisë”, tha ai.

Kryeministri i ka bërë thirrje shqiptarëve të shkojnë si njerëz të qytetëruar dhe të kenë respekt për votën e lirë. Ndërsa ka kërkuar që të shmangin çdo lloj dhune, pasi sipas tij, flamujt e partive politike, janë flamujt e pluralizmit shqiptar dhe ne, tha kryeministri, jemi pluralizmi. Ndërsa një thirrje ai e ka bërë për partitë politike që të heqin dorë nga fjalët e kazanit, të shmangin çdo lloj nxitje, të bëjnë gjithçka që kjo fushatë të jetë një fushatë europiane që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë.