Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 06:50

Sarandë – Kryeministri Sali Berisha siguroi dje se gjatë 4 viteve që vijnë do t’u jepet përgjigje përfundimtare problemeve të trojeve në Sarandë dhe Ksamil, ndërsa e cilësoi Sarandën si destinacionin kryesor turistik në Shqipëri.

Në vijim të turit elektoral, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Sarandës, ku përshëndeti edhe çeljen e sezonit të ri turistik. Berisha shprehu mbështetjen për kryetarin aktual të kësaj bashkie i cili rikandidon nën siglën e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Edmond Gjoka dhe siguroi se Qeveria do të financojë çdo projekt të tij për zhvillimin e Sarandës.

“Edmond Gjoka është njeriu i transformimeve të mëdha të këtij qyteti, i cili në bashkëpunim me qeverisjen qendrore bëri që Saranda të ngjitet në krye të kurorës turistike të vendit. Gjatë këtyre 5 viteve turistët u dhjetëfishuan në Shqipëri, por u njëzetfishuan në Sarandë”, tha Berisha, ndërsa theksoi se Edmond Gjoka i dha Sarandës universitetin e merituar.

Ai siguroi se vota për Gjokën do të shndërrohet në një sukses të vërtetë për secilin prej qytetarëve të Sarandës, perlës së bukurive natyrore botërore.

“Këto vite të qeverisjes se tij janë investuar për infrastrukturën në Sarandë 70 milionë euro, ndërsa vetëm në rrugët kombëtare janë investuar 170 milionë euro”, tha Berisha, duke siguruar se Saranda do të ketë së shpejti infrastrukturën rrugore më moderne.

Ai theksoi se janë ndërtuar rrugët Vlorë-Sarandë, Qafë Botë-Sarandë dhe Sarandë-Butrint dhe garantoi se 4 vitet që vijnë në këtë rreth do të afaltohet çdo km rrugë.

Kryeministri garantoi se nuk i harron premtimet, por punon fuqishëm për realizimin e tyre. “Kemi ndërtuar në Sarandë më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku. I kemi bërë të famshme në gjithë botën pasuritë arkeologjike dhe historike të Sarandës”, tha Berisha, duke theksuar se alternativa e koalicionit “Aleanca për qytetarin” është alternativa e shndërrimit në realitet të ëndrrave tona.

“Alternativa e rrugës së vetme është alternativë e mbushur me sharje, shpifje dhe trillime, Por unë nuk do të merrem me Edi Ramën jo sepse nuk respektoj kundërshtarin, por sepse sharjet, shpifjet dhe trillimet nuk sjellin turistë, nuk rrisin rrogat dhe pensionet dhe nuk ndërtojnë ujësjellësa, shkolla, kanalizime dhe kopshte”, tha Berisha.

Sipas tij, alternativa e ofruar nga opozita në këto zgjedhje nuk u përgjigjet moralit, interesave apo projekteve të qytetarëve të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë.

“Shqipëria është për t’u zbuluar dhe pasuritë e saj janë të pafundme. Ne do t’i shndërrojmë këto pasuri çdo ditë në vlera për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha, duke kërkuar votën e qytetarëve të Sarandës.