Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 05:39

Tiranë – Kryeministri Berisha garantoi dje se në katër vitet që vijnë Belshi do të jetë një qëndër e rëndësishme e prodhimit dhe e turizmit.

Në tubimin me qytetarë të Belshit, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, zotin Asqeri Kuqja, Kryeministri Berisha u zotua se së bashku me qytetarët e këtij vendi dhe kandidatin Kuqje, në 4 vitet që vijnë do të punohet me të gjitha forcat për të shndërruar Belshin në një qytet të zhvilluar, turistik, industrial.

Kryeministri shprehu angazhimin se në 4 vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë, çdo trotuar, çdo rrugicë e këtij qyteti dhe fshatrave të kësaj bashkie.

Duke u ndalur tek infrastruktura, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve të fundit në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 430 km rrugë, nga te cilat vetëm në rrethin e Elbasanit janë 203 km, ndërsa 34 km janë dy akset rrugore që lidhin Belshin dhe Pajovën si dhe Belshin me Lushnjën, për të vazhduar më tej me ndërtimin e boshtit te jugut.

Kryeministri vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm ndërtimin e korridorit Tiranë- Elbasan. “Ky korridor prej 31,7 km, me tunel 2.4 km, me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, katër nënkalime, do të shkurtojë mbi 25 minuta distancën Elbasan- Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj për prodhuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë”, u shpreh Kryeministri.

“Kjo është alternativa jonë, me këtë alternativë ne kemi parasysh interesat tuaja, problemet tuaja, shqetësimet tuaja, vizionin tuaj. Ne besojmë se krahas shkollave, ushqimit, rruga dhe rrugët janë kusht themelor, janë arteriet më të rëndësishme të zhvillimit. Ndaj dhe në këto 5 vite kemi asfaltuar rrugë në këtë vend dhe ndërtuar katër herë më shumë sesa rrugët e asfaltuara në të gjitha kohërat”, tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri garantoi banorët e Belshit se në 4 vitet që vijnë do të subvencionojmë 10 mijë hektarë dhe se Dumrenë do ta shndërrojmë në një kopësht të madh të bukur, prodhues të fuqishëm të të gjitha frutave, perimeve dhe prodhimeve të tjera.

Kreu i Qeverisë u zotua para banorëve të Belshit se “ky vit dhe fillimi i vitit tjetër shënon nxjerrjen nga mjerimi për çdo familje shqiptare. Kjo është ajo çka ne ofrojmë. Kjo është rruga me të cilën ne u anëtarësuam në NATO. Kjo është rruga me të cilën ne firmosëm marrëveshjen e stabilizim-asociimit, kjo është rruga me të cilën ne fituam heqjen e vizave, rruga me të cilën ne ecim të sigurtë drejt Evropës”.

Duke akuzuar kreun e opozitës që vazhdon të nxijë arritjet e Shqipërisë, Berisha tha se “Shqipëri ka ndryshuar këto vite, më shumë se çdo vend tjetër dhe gabohesh rëndë kur përpiqesh të nxish sukseset e këtyre njerëzve për shkak të qëndrimit që ke ndaj qeverisë. Sigurisht që qeveria ka rolin e saj, por themeli i këtyre sukseseve janë qytetarët shqiptarë, mundi, djersa e tyre”.