Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 15:43

Berat – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Beratit, hapi fushatën elektorale në komunën Roshnik dhe Lumas në Qarkun e Beratit, ku prezantoi kandidatët e “Aleancës për qytetarin”.
Në komunën Roshnik, Ministri Pollo prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Asllan Bejasi. Gjatë takimit me banorët, Pollo vlerësoi kandidatin Bejasi, ndërsa theksoi se “nga ata që drejtojnë aktualisht këtë komunë nuk është parë ndonjë gjë konkrete”. 
“Ne mund të flasim për projekte të mëdha dhe të kushtueshme, siç është rruga që lidh komunën me Beratin, që patjetër duhet të asfaltohet dhe që do të ishte e asfaltuar nëse nuk do të kishin dërguar projekte të pasakta, teknikisht të dobëta dhe me standarde të papërmbushura për një rrugë që i duhet kësaj komune”, tha Pollo, duke kërkuar votën e banorëve për kandidatin e “Aleancës për qytetarin”.
Ndërsa në komunën Lumas, Pollo prezantoi Zarif Salaj, si kandidatin e “Aleancës për qytetarin”.

“Ne jemi koalicioni i premtimeve të mbajtura”, tha Pollo, duke renditur para banorëve disa prej arritjeve të kësaj qeverie.