Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 17:53

Tiranë – Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, deklaroi sot në Fier në çeljen e fushatës elektorale të kësaj partie për zgjedhjet e 8 majit se “PDIU është e vetmja forcë që shtyn me presion pozitiv partitë e mëdha sa herë që cënohen interesat e kombit”.

Idrizi shprehu mbështetjen e partisë së tij për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin ” për bashkinë e Fierit, Ilir Bele dhe u shpreh se PDIU do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve.

“Sot duhet të mbështesim partinë tonë, partinë tuaj. Qytetarët e Fierit meritojnë të jetojnë më mirë sepse janë qytetarë evropianë. Së bashku do të çojmë përpara Shqipërinë, prosperitetin dhe flamurin tonë. Rezultati i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet në zgjedhjet e 8 Majit do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi kryetari i PDIU-së,  Shpëtim Idrizi.

Ai tha gjithashtu se “zgjidhja e çështjes kombëtare, bashkimi ekonomik Shqipëri-Kosovë, i jep një hov të paimagjinueshëm zhvillimi shqiptarëve”. Vendet e punës, sipas Idrizit, krijohen duke bashkuar ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Fierit, Ilir Bele, vlerësoi mbështetjen që PDIU po i jep kandidimit të tij.

“Ndihem mirë kur më mbështet PDIU-ja, sepse programi i saj politik është zgjidhja e çështjes çame. Aleanca për Qytetarin është aleanca për ndryshimin e qytetit”, tha Bele.