Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 15:15

Tiranë – Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, siguroi sot se “Tirana do të ketë planin e saj urbanistik brenda 12 muajve nga marrja e mandatit të kryebashkiakut dhe kjo do t’i japë fund kalvarit të lejeve të ndërtimit në kryeqytet”.

Në një bashkëbisedim me intelektualët për problematikat që shqetësojnë sot Tiranën, Basha iu përgjigj pyetjes së analistit Henri Çili mbi qëndrimin e tij për planin urbanistik të Tiranës dhe veçanërisht ndaj klientelës së bashkisë aktuale të Tiranës në lidhje me industrinë e ndërtimit.

Në këtë drejtim, Basha siguroi se finalizimi i planit urbanistik brenda 12 muajve të parë të mandatit të tij, do të sigurojë që lejet e ndërtimit të merren me një procedurë të thjeshtëzuar me një afat maksimal prej 30 ditësh, me parimin heshtja është miratim.

Sipas tij, “të gjitha këto kritere do të jenë të ngurtësuara në planin urbanistik të çdo lagjeje dhe qytetit në tërësi”.

“Për Tiranën moderne europiane do të ketë një plan të ri urbanistik. Kjo nuk do të thotë se të gjitha vlerat e akumuluara ndër vite do të flaken tutje, përkundrazi para se në këtë plan të vendosim kullat, ndërtimet pjesore dhe koeficentët e lartë të zhvillimit të hapësirave të privatizuara, rishtazi do të vendosim njollat e interesit qytetar”.