Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 06:34

Tiranë – Kandidati i maxhorancës për kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një bisedë që zhvilloi me banorët e minibashkisë nr.11 në kryeqytet, i informoi ata për efektet pozitive që do të sjellë në Tiranë transparenca në qeverisje dhe lehtësirat fiskale.

Premtimet për politikat fiskale, transperencë në qeverisje dhe vendimmarrje e kandidatit të djathtë, Basha, ka ngjallur menjëhere interesin e disa kompanive të huaja, të interesuara për të investuar ne kryeqytet. Ky interesim, është bërë i njohur nga Lulzim Basha, në bashkëbisedimin e zhvilluar me banorë të zonës së Kodër Kamzes, një format i ri i sjellë prej tij për herë të parë në politikën shqiptare.

Papunësia është edhe në këtë zonë shqetësimi kryesor si kundër edhe strehimi e veçanerisht fati i 500 familjeve të strehuara në konviktet e Institutit Bujqësor.

Gjatë bisedës me Bashën, një prej qytetarëve, i kërkoi kandidatit të djathtë se si do të veprojë ai për krijimin e vendeve te punës.

Në përgjigje të pyetjes, Basha tha se për të, si kryebashkiak i ardhshëm, punësimi është objektivi numër 1.

“A nuk është punësimi problemi më i madh sot në Tiranë? Po si mund të thotë kryetari i bashkisë që ky nuk qenka problemi i tij më i madh? Ne do ta vendosim punësimin si objektiv kryesor të aktivitetit të përditshëm të bashkisë së Tiranës. Me uljen e taksave, me fondin e garancive, ne do të mund të krijomë vetëm gjatë 6 muajve të parë, jo më pak se 10 mijë vende të reja pune. Por ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, duke hapur punime ne infrastrukture në të gjithë qytetin”, u shpreh Basha në përgjigje të shqetësimit të qytetarëve.

Unaza e Madhe, për kandidatin e djathtë do të jetë një front pune që do të ofrojë jo më pak se 5800 të punësuar brenda 12 muajve të fillimit të punimeve.

Basha premtoi se do të investojë fort që në Tiranë të rikthehet vëmendja e investitorëve të huaj, duke u shprehur se “vetëm gjatë kësaj jave që kam shpallur platformën time, më janë kërkuar disa takime nga investitorë të mëdhenj, gjermanë, italianë, amerikanë, arabë etj. Për këdo që do të hapë 50 vende pune apo më shumë, ne do të shqyrtojmë mundësinë e heqjes totale te taksave për katër vite”.

Një përgjigje të pyetjes së një qytetari, se si do ta zgjidhë problemin e strehimit të rreth 500 banorëve të strehuar në godinat e Universitetit të Lartë Bujqësor, Basha premtoi se së bashku me kandidatin për kryetarin e kësaj minibashkie, Mustafa, kanë përgatitur një vendim për Këshillin e Ministrave, si dhe kanë informuar Kryeministrin Berisha, dhe do t’ia paraqesin kryeministrit jo më vonë se e hëna e ardhshme, në mënyrë që të aprovojë një vendim, i cili do të zgjidhë në mënyrë integrale problemin e akumuluar, problemin e pafalshëm të situatës së Institutit.

Por ne një kënd më të gjerë, tha Basha, “ju garantoj se strehimi do të jetë prioritet për bashkinë që do të drejtoj unë. Një fond special do të ngrihet për të zbutur kredimarrjen e çifteve të reja, unë zotohem se nuk do të ndërtojmë më pak se 1000 apartamente sociale deri në majin e vitit 2015”.

Në përgjigje të interesimit të banorëve mbi lehtësitë për hapjen e një biznesi te ri, Basha tha se parashikohen lehtësira të veçanta për bizenset artizanale, ato që hapen nga gratë, e veçanërisht nga ato kryfamiljare. Projekti i Bashës parashikon edhe implementimin e modelit të suksesshëm të qendrës së regjistrimit të biznesit edhe në bashkinë e Tiranës. Basha ka bërë të ditur edhe në ketë zonë, që është me e harruara nga bashkia e Tiranës, se zhvillimi i qytetit do të nisë nga lagjet e saj.