Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 06:30

Tiranë – Lulzim Basha, i lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, përfaqëson brezin e politikanëve të rinj brenda Partisë Demokratike. Krejt i panjohur deri në vitin 2005, ai ka një karrierë politike 6-vjeçare. Basha ka drejtuar me sukses Ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Jashtme dhe së fundmi Ministrinë e Brendshme.

I cilësuar si kandidati më i mirë i së djathtës për zgjedhjet vendore, Basha, me një bursë për vitin e parë, filloi studimet në Universtetin e Utrechtit në Holandë në vitin 1993. Për të bërë të mundur vijimin e studimeve në Holande, ka punuar ndër të tjera si koordinator në Fakultetin e Drejtësisë dhe si këshilltar financiar në firma private. Lulzim Basha u diplomua në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare.

Pas studimeve, Lulzim Basha punoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, duke udhëtuar drejt Kosovës për të hetuar krimet e luftës. Pas tre vjetësh punë, ai ishte pjesë e skuadrës që ndihmoi në përgatitjen e akt-akuzës në ndjekjen e Sllobodan Millosheviçit. Lulzim Basha më pas shërbeu si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.

Në janar të vitit 2005 Basha u caktua koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave e më vonë mori mandatin e anëtarit të Kryesisë së partisë, ishte zëdhënësi i fushatës dhe anëtar i Këshillit Kombëtar.

Me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2005 Basha caktohet në detyrën e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve. Përgjatë dy viteve në këtë post Basha realizoi projektin e maxhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës- Morin, e njohur si “Korridori i kombit”, që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Në maj të vitit 2007 Basha emërohet ministër i Jashtëm. Me këtë funksion ai udhëhoqi përpjekjet për të përmbushur standardet e kërkuara nga Brukseli që Shqipëria të përfitonte nga liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë kohës së qëndrimit në krye të kësaj ministrie, Basha loboi për pranimin e Shqipërisë në NATO dhe asistoi në dorëzimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.

Pas zgjedhjeve të qershorit 2009 Basha emërohet si ministër i Brendshëm, funksion i mbajtur deri në muajin mars, si pasojë e kandidimit të tij për zgjedhjet e fundit vendore, si kryetar të Bashkisë së Tiranës

Me platformën e tij Lulzim Basha premtoi dhe paraqiti ide për një të ardhme të re të pushtetit lokal në Shqipëri.