Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 21:04

Tiranë – “Zgjedhjet vendore të 8 majit ishin të ndershme dhe të lira, por gara në kryeqytet ishte shumë e ngushtë”, tha të shtunën kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ndërsa siguroi se cilido që të jetë verdikti final i votuesve, ai do ta pranojë atë.

Basha doli në një komunikim me mediat nga selia e PD-së mbrëmjen e së shtunës, ndërkohë që ka përfunduar procesi i numërimit të votave në të 11 njësitë bashkiake në kryeqytet dhe rezultati final pritet të çertifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Cilido që të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahemi me fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk ka marrë më shumë se 50 për qind të votave. Çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme dhe të saktë”, tha Basha.

Sipas tij, “KQZ po përgatit rezultatin final dhe ne ende nuk e dimë se cili është fituesi”. “Në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë mbetem i vendosur që çdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Nëse në fund të këtij procesi, Rama është fitues unë do ta uroj atë dhe nëse fitues jam unë, shpresoj që ai të më urojë mua”, tha ai.

Basha kërkoi që kur fituesi i kësaj gare të jetë i sigurt, të gjithë kemi nevojë të ecim përpara dhe jo mbrapa, sepse kemi nevojë të ecim përtej luftës politike dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve.

“Qytetarët e Tiranës sot kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë. Ata duan që kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre të përditshme dhe jo betejat politike. Ata duan një Tiranë moderne dhe europiane dhe jo grindje shterpë dhe beteja e fajësim të të tjerëve”, tha Basha.

Basha falënderoi familjarët e tij, stafin e fushatës elektorale në Tiranë, por edhe Kryeministrin Sali Berisha, dhe anëtarët e maxhorancës për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë kësaj fushate elektorale.

“Falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e PD-së dhe partive të tjera dhe vëzhguesit e vendeve mike që ndihmuan për ta bërë këtë procesin më të ndershëm, të lirë, të saktë dhe transparent, me të cilin mund të krenohet Tirana dhe gjithë Shqipëria”, tha Basha, duke falënderuar të gjithë ata që dhanë votën dhe zemrën në këtë fushatë elektorale.

Basha shprehu mirënjohjen edhe për “Iniciativën për Tiranën”, një grupim intelektualësh që e ftuan për të ndarë mendimet se si mund ta bëjë Tiranën, një qytet më të mirë për qytetarët e saj.

“Së bashku ne ndryshuam mënyrën e sjelljes politike në Tiranë dhe e vumë atë në funksion të zgjidhjes, në funksion të së ardhmes dhe jo të së shkuarës, në funksion të qytetarëve dhe jo të politikanëve. Ne ndamë idenë se askush nuk mund të udhëheqë nëse nuk është i përgatitur që më parë për fitore dhe idenë se çdo qeverisje duhet të japë llogari para qytetarëve”, tha Basha.

Sipas tij, “kjo fushatë elektorale ka ofruar një model të ri për qytetin dhe për Shqipërinë”. “Qytetarët duhet të kenë besim tek kjo mënyrë e re e të bërit politikë. Ne kemi ndryshuar mënyrën se si bëhet fushata dhe kemi ndryshuar perceptimin se çdo të thotë të jesh i zgjedhur: Do të thotë të parët jeni ju”, tha më tej ai.