Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 12:02

Tiranë – Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha kërkoi sot, që trysnia e cila vjen nga gara e ngushtë mes kandidatëve në kryeqytet, të mos ndërhyjë në detyrën e rëndësishme të numërimit të saktë dhe të ndershëm të çdo vote.

Gjatë një komunikimi me mediat, Basha falënderoi komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit për punën e tyre të palodhur që ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. “Duhet të krenohemi me punën e tyre, një punë që vazhdon të siguroj një proces tërësisht transparent dhe demokratik”, tha Basha.

Sipas tij “vota e çdo qytetari duhet të numërohet dhe zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet”. “Siç e dini, unë kam rimarrë kryesimin e garës, megjithatë kjo nuk e ndryshon vendosmërinë time për të pritur numërimin e drejtë, transparent, të saktë dhe pa vonesë të çdo vote”, tha Basha.