Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 17:29

Tiranë – Kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u takua sot me përfaqësues të elitës së sportit në Kryeqytet, ku tregoi projektin e tij për ringjalljen e sportit në Tiranë. Ish volejbollisti që sot kandidon për kryebashkiakun e ardhshëm, sqaroi çdo detaj të programit për sportin, nga terrenet sportive deri tek mbeshtetja për sportistët.

Basha shprehu se do të mbeshtesë jo vetëm skuadrën e Tiranës, skuadër për të cilën përgjigjet Bashkia, por dhe klubet e Partizanit, Dinamos dhe Studentit, duke u shprehur optimist për rikthimin e emocioneve të derbit Tirana -Partizani.

“Jam i vendosur të siguroj burimet për të rikthyer fuqishëm sportin si pjesë e përditshme, themelore e jetës së qytetarëve të Tiranës. Veç mos lejimit të dëmtimit të hapësirave publike të gjelbërta dhe në veçanti atyre sportive, do të fillojmë t’i rigjenerojmë këto hapësira, t’i rifitojmë aty ku mungojnë”, u tha Basha sportistëve të pranishëm.

Kandidati demokrat siguroi se do shfrytëzohen energjitë për sportin profesional, ndërsa u shpreh që Pallatin e sportit “Asllan Rusi” ta administrojë Bashkia e Tiranës.

Basha u tha sportistëve se do ndërhyjë për të rindërtuar dhe furnizuar me kapacitete europiane, dy njësi që tashmë bashkia i ka në përgjegjësi, palestrën e sportit ” Farije Hoti” dhe stadiumin “Selman Stërmasi”.

“Unë kam një vështrim fare të qartë per menaxhimin e klubit të Tiranës. Pikësëpari do ti japum klubit sportiv Tirana mbështetjen e nevojshme finanaciare në aktivitetet që zhvillon, si përgjegjësi e drejtpërdrejtë, si simbol i qytetit të Tiranës, si detyrim ndaj qytetarëve të Tiranës. Ne nuk mund të mbyllim sytë para gjendjes aktuale të tre klubeve tjera, Partizanit, Dinamos dhe Studentit. Ne duhet të mendojmë të rikthejmë emocionet e forta të derbit Tirana – Partizani. Por unë do të investoj fort duke e nxitur garën sportive në cdo nivel”, u shpreh Basha.

Basha premtoi se Bashkia do mbështesë financiarisht elitën e sportit të kryeqytetit, për të cilët ndihet krenar çdo shqiptar dhe që sot janë lënë në harresë.

“Jam i vendosur të ngre fondin bashkiak të ekselencave sportive dhe artistike të qytetit, që asnjë prej ikonave, idhujve sportivë të qytetit të Tiranës te mos e gjejë më veten në kushte të papranueshme financiare”, tha Basha.