Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 11:49

Tiranë – Kandidati i koalicionit të djathtë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh sot se “do të respektoj procesin deri në numërimin e votës së fundit të çdo qytetari dhe se do të pres rezultatin e dalë prej votës së tyre”.

Në një dalje për mediat, Basha falenderoi të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit, që përgjatë gjithë natës së mbrëmshme si dhe mëngjesin e sotëm, vazhduan punën për numërimin e drejtë dhe transparent të çdo vote, për të siguruar kështu një proces numërimi të saktë dhe pa vonesa.

“Kanë mbetur akoma për t’u numëruar edhe shumë vota dhe unë jam i vendosur që zëri i çdo qytetari të dëgjohet dhe këto vota të numërohen me qetësi dhe transparencë”, tha Basha.

Për Bashën e rëndësishme mbetet që të gjitha palët të sigurojnë që procesi i numërimit të vazhdojë të eci përpara, pa pengesa dhe vonesa dhe e rëndësishme është që ky proces të vazhdojë të mbetet i tillë deri në fund.

Ndërsa u shpreh i bindur për fitoren e tij në Tiranë, Basha tha se do të respektojë procesin e numërimit dhe se do të presë deri në numërimin e votës së fundit të qytetarëve të Tiranës, si dhe rezultatin e dalë prej saj.