Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 18:56

Tiranë – Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka marrë përsipër zgjidhjen e një prej problemeve kryesore të banorëve të Tiranës, siç është punësimi.

Duke shpallur projektin e tij për punësimin sot në një takim me studentë të fakultetit ekonomik, zoti Basha deklaroi  se, nën drejtimin e tij, bashkia do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre”.

“Bashkia do të ketë një rrjet informacioni online, që do të ndërlidhë kërkesën në tregun e punës të azhornuar në mënyrën më të plotë të mundshme, jo më vonë se fundi i këtij viti. Një i punësuar, 10 të punësuar, 100 të punësuar në Tiranë, janë objektivat e përditshme, përnatshme, përmuajshme të kryetarit të bashkisë, tha Basha.

Unë- vazhdoi ai- kam një plan konkret për t’u marrë me këtë çështje, duke i hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe infrastrukturore.

“Me një përllogaritje minimale modeste, ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesin në tërësi në Tiranë, për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune. Do të vazhdojmë me një fond special garancisë, duke ndjekur një përvojë të suksesshme të USAID-it dhe një pakt në tregun e punës, për hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës, detajoi  Basha.

Sipas tij, infrastruktura do të jetë risia tjetër në zhvillimin ekonomik dhe në tregun e punës. “Mbi 5 800 vende pune do të hapen vetëm nga punimet e Unazës së Madhe. Ndërkohë që arsimi profesional dhe turizmi janë dy shtylla të tjera, në të cilat ne duhet të ecim fuqishëm, për të gjeneruar punësim dhe mirëqenie në qytetin tonë”, u shpreh Lulzim Basha para studentëve të ekonomikut.

Me tej, Kandidati i koalicionit “Aleanca per Qytetarin”, Lulzim Basha, ka sqaruar edhe projektet për kartën studentore që do të vihet në dispozicion ne muajin shtator të ketij viti, ndërtimin e kampuseve universitare dhe bibliotekes, e deri tek bursat për studentët e shkëlqyer apo ata me pamundësi ekonomike.