Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 11:57

Tiranë – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, zv/presidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, u bëri thirrje të mërkurën udhëheqësve politikë në Shqipëri që të mbështesin përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja.

Zyra e shtypit e qendrës së informimit të BE-së në Tiranë, bëri të ditur se në deklaratën e saj, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian thekson se “rezultati i ngushtë në zgjedhjet bashkiake në Tiranë do të thotë që të dyja palët duhet të komunikojnë, të kapërcejnë ndryshimet dhe të gjejnë zgjidhje. Zhvillimet e sotme treguan brishtësinë e situatës politike”.

Zv/presidentja e KE-së vuri në dukje se KE-ja në vijim të votimit më 8 maj, ka vëzhguar numërimin e votave dhe ka pritur shpalljen e rezultateve zyrtare, përpara se të bëjë një vlerësim përfundimtar.

Ashton thekson se mbyllja e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore duhet bërë brënda  institucioneve ekzistuese dhe kuadrit ligjor, rregullave dhe praktikave  ekzistuese.

“Të gjithë udhëheqësit politikë mbajnë përgjegjësinë e veçantë të të mosvënit të jetës së qytetarëve në rrezik”, përfundon deklarata drejtuar udhëheqësve të politikës shqiptare nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton.