Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 18:53

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi sot se “teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”.

Zyra e shtypit e SHBA-së bëri të ditur se në deklaratën e tij për mediat, Arvizu uroi për kapërcimin e vijës së finishit.

“Ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar”, nënvizoi ambasadori amerikan pasi ka ndjekur procesin e numërimit të votave për rreth dy ditë në njësinë numër 5 në kryeqytet.

“Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Edhe një herë, urimet tona për popullin shqiptar”, përfundon deklaratën për mediat, Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.