Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 14:48

Tiranë – Pas incidenteve te shumta që janë regjjistruar në fillim fushates elektorale te 8 majit, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka shprehur, të martën, shqetësimin për tensionimin e situatës ditë pas dite. Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit, diplomati amerikan tha se ky proces është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe jo për partitë politike.

“Personalisht dua të them se jam shqetësuar për incidentet që ndodhin për shkak të zgjedhjeve. Shqetësimi im është është për qetësi qofshin këto komisionet, Partia Demokratike, Partia Socialiste. Ne e kuptojmë që politika do të fitojë dhe kjo është esenca e politikës. Pika më esenciale për Shqipërinë është jo vetëm kush do të fitojë por si do të fitojë, se sa i qetë do të jetë ky proces. Dëshira ime është që të gjithë ata që kandidojnë është të mos mendonin më shumë për fitoren sesa për njerëzit nga do zgjidhen. Kam dëgjuar njerëz që thonë se këto zgjedhje janë politike e disa të tjerët thonë se janë administrative. Personalisht nuk e kuptoj se cili është ndryshimi midis të dyjave”, tha ambasadori amerikan.

Arvizu deklaroi më tej se zgjedhjet nuk duhet t’u shkaktojnë njerëzve keqardhje dhe dëshpërim, por duhet t’u japin forcë për të ardhmen.

“Ajo që është më e rëndësishme është se këto zgjedhje nuk duhet t’u shkaktojnë njerëzve ankth, keqardhje dhe dëshpërim. Supozohet t’u japin njerëzëve shpresë për të ardhmen. Shpesh njerëzit më pyesin: kujt i shkon mesazhi juaj? Përgjigja është për të gjithë. Qeveria duhet të bëjë çdo gjë të mundur që zgjedhjet të jenë transparente dhe fusha e lojës të jetë e barabartë për të gjithë. Dhe sigurisht KQZ duhet të bëjë punën e vet ashtu si PD, PS dhe partitë e vogla duhet të zbatojnë rregullat dhe të mendojnë për votuesit jo vetëm për të fituar. Sigurisht duhet të shikojnë mënyrën sesi të ndihmojnë njerëzit. Jo gjithçka për fitoren. Partitë duhet të dinë edhe si të humbasin. Edhe humbja dërgon një mesazh të mirë për njerëzit”, ka thënë ambasadori amerikan në Shqipër.

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ndodhej sot në Elbasan për njohjen me planin strategjik 10-vjeçar të zhvillimit të qytetit. Ai u njoh me detajet se çfarë përmbante ky plan dhe u shpreh se ishte hera e parë që ndodhej në një vizitë zyrtare në këtë qytet.

Duke folur për këtë plan ai tha se “pavarësisht se cilës parti i përkasin kryetari i bashkisë apo stafi i bashkisë, ata duhet të mendojnë, në radhë të parë, për qytetarin”.