Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:36

Tiranë – Lideri i opozitës Edi Rama është takuar më ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias por mësohet se zgjedhjet e 8 majit kanë qenë në epiqendër të takimit mes Ramës dhe Arvizu.

Në përfundim të takimit Arvizu deklaroi për mediat se “ju mund ta merrni vetë me mend se për çfarë kemi biseduar”, pa thënë asnjë koment tjetër.

Ndërkohë që edhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti në mesditë në selinë e LSI-së  Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Gjatë takimit Meta dhe Arvizu shkëmbyen mendime për situatën politike para zgjedhore duke vlerësuar si më të rëndësishme mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sesa rezultatin e  kandidatëve në këto zgjedhje vendore.

Meta shprehu angazhimin  e plote te tij dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhje të ndershme dhe të lira në 8 maj. Gjithashtu Meta ka falënderuar Ambasadorin z. Arvizu për ndihmën që SHBA po jep në proceset integruese të vendit si dhe për konsolidimin  e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimit Meta duke shprehur mirënjohje për kontributin e  OSBE/ODIHR në Shqipëri, ka apeluar për më shumë vëzhgues në këto zgjedhje pasi kjo do te ishte një garanci me tepër për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Më tej Meta rikonfirmoi angazhimin e të gjithë përfaqësuesve të LSI-së në të gjitha nivelet e administrimit të procesit zgjedhor, për të pasur si referencë të vetme në të gjithë sjelljen e tyre vetëm ligjin, kodin zgjedhor.