Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 15:23

Tiranë – Në 8 maj 2011 shqiptarët do të shprehen me votë për zgjedhjen e qytetarëve të tyre të parë, ndërkohë që kandidatëve që garojnë për këto zgjedhje u mbetet tashmë vetëm një javë për të bindur votuesit mbi atë që ofrojnë alternativat e tyre.
Forcat politike të dy spektreve kanë intensifikuar takimet elektorale në terren, duke paraqitur para qytetarëve kandidatët dhe platformat e tyre në shërbim të komunitetit.
Por, ashtu siç vëren edhe raporti i 2-të i publikuar dje nga OSBE/ODIHR-i për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 8 majit, në këtë fushatë, Partia Demokratike ka vendosur një theks të fortë te çështjet vendore, ndërsa Partia Socialiste e ka përqëdruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të kryeministrit.
Pikërisht politizimi i këtyre zgjedhjeve me karakter tërësisht lokal dhe administrativ, duket se ka qenë shkaku kryesor i klimës së tensionuar që ka shoqëruar fushatën zgjedhore. Sipas misionit vëzhgues, pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën.
Ashtu sikurse pritej, gara elektorale në kryeqytet ka marrë vëmendjen kryesore të dy kampeve politike. Pasqyrimi i aktiviteteve elektorale të dy kandidatëve nga media dhe konkretisht refuzimi i disa televizioneve për të transmetuar kasetat e përgatitura prej partive politike për kandidatët e tyre, ka krijuar një debat të gjerë publik dhe mediatik.
Partia Demokratike pretendon se si rezultat i këtij qëndrimi, këto media vizive nuk kanë ofruar mbulim të mjaftueshëm dhe të paanshëm të kandidatit për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ndërkohë që mediat kanë pretenduar se nuk janë njoftuar paraprakisht për aktivitetetet e tij elektorale. 
Megjithatë, Lulzim Basha ka vijuar paraqitjen e programit të tij elektoral në takime me qytetarët, ku ka premtuar zgjidhje për problemet e mprehta që shqetësojnë sot kryeqytetin.     
Basha ka ofruar politika reale për zgjidhjen e problemeve të strehimit, hipotekimin e banesave të reja, rritjen e punësimit, uljen e taksave, garantimin e një infrastrukture moderne dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, ndërsa ka theksuar se prioritet gjatë mandatit të tij si kryebashkiak do të jenë qytetarët dhe vizioni i tyre.  
Edhe kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili garon për një mandat të katërt, ka vijuar këtë javë me prezantimin e platformës për zhvillimin e qytetit. Në takimet me banorë të njësive të ndryshme bashkiake në kryeqytet, ai ka prezantuar projektet për infrastrukturën e qytetit si dhe ka përuruar dy linja të reja urbane. Në këto takime Rama ka shprehur gjithashtu mbështetjen për kandidatët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për kryetarë të minibashkive.
Në 8 maj, qytetarët e Tiranës do të shprehen me votë për zgjedhjen e qytetarit të tyre të parë, ndërsa kandidatëve do t’u duhet të presin ende për mëse një javë për t’u njohur me verdiktin qytetar.