Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 17:09

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas kqyrjes së fletëve të kontestuara të kutive 1759 dhe 1762 të KZAZ-së nr. 47, njësia 3, vendosi me katër vota pro të ndryshojë tabelën e rezultatit të grupeve të numërimit të votave, duke shtuar në tabelat përmbledhëse përkatëse, në kolonën e shpërndarjes së votave, 3 fletë votimi në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe një fletë votimi në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Gjithashtu, këtij ndryshimi në tabelën e rezultatit për dy kutitë do t’i shtohen dhe disa fletë votimi për këshillat bashkiakë që kanë qënë të panumërura, përkatësisht 3 fletë për kutinë 1759 dhe katër fletë për kutinë 1762.

KQZ e ka ndërprerë mbledhjen, e nisur mes tensionit paraditen e sotme, për ta rifilluar në ora 18:00 me marrjen në shqyrtim të kutive të tjera që kanë fletë të kontestuara nga KZAZ-të dhe që do rivlerësohen nga KQZ, për t’i përfshirë më pas rezultatet e ndryshuara në tabelat përmbledhëse.

Aktualisht, selia e KQZ vijon të jetë e rrethuar nga forca të shtuara policore, të cilat janë prezente aty që nga orët e paradites, për shkak të tensionit të krijuar nga deputetë dhe simpatizantë të opozitës, të cilët kundërshtojnë aktin e miratuar nga Komisioni Zgjedhor për rivlerësimin e fletëve të kontestuara të votimit për kryetar bashkie në Tiranë.

Kjo situatë tensioni gjatë paradites shkaktoi dhe përplasje mes forcave të rendit dhe deputetëve socialistë, të cilët këmbëngulën për të hyrë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, por një vendim i marrë nga ky institucion nuk lejoi pjesëmarrjen e tyre në to.