Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:29

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ftoi sot qytetarët e Shkodrës që në 8 maj të votojnë kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kreun e kësaj bashkie, Lorenc Luka dhe ta shndërrojnë 8 majin në festën e madhe të demokracisë shqiptare, festën e idealeve europiane të mbarë Shqipërisë.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite mitingun përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit në qytetin e Shkodrës, ku theksoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt të qeveritarëve vendorë për zhvillimin e Shkodrës dhe komunave të saj.

Berisha vlerësoi kontributin e qytetarëve shkodranë në mbrojtjen e idealeve të lirisë dhe vlerave shpirtërore të qytetërimit perëndimor dhe shprehu bindjen se “fryma e fitores së zgjedhjeve vendore po vërshon në mbarë Shqipërinë, nga jugu në veri”.

“Ju kurrë nuk keni gabuar por keni votuar për të ardhmen e Shkodrës”, tha Berisha, duke iu drejtuar qytetarëve shkodranë. Kryeministri renditi disa prej arritjeve të kësaj maxhorance gjatë viteve të fundit, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe rritja ekonomike dhe siguroi se në vitet që vijnë, qeveria do të investojë akoma më shumë për zhvillimin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.

Në këtë drejtim, Berisha garantoi se qeveritarët vendorë të bashkive dhe komunave të qarkut të Shkodrës, përfaqësues të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, do të shndërrojnë në realitet ëndrrën për një Shkodër të zhvilluar europiane.

“Vota në 8 maj për Lorenc Lukën është para së gjithash votë për punësimin tuaj dhe për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ne që shembëm murin e Berlinit dhe anëtarësuam Shqipërinë në NATO, mund të shembim çdo mur tjetër dhe të ecim të sigurt në rrugën tonë drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë”, tha Berisha.

Ai siguroi se vota në 8 maj për kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin” do të jetë votë për infrastrukurën më moderne të Shqipërisë. “Vota në 8 majin për Lorenc Lukën dhe qytetarët e parë është votë për Shkodrën universitare, Shkodrën e dijes dhe kulturës”, tha Berisha.

Kryeministri siguroi se 4 vitet që vijnë, Shkodra do të shndërrohet në një nga polet më të rëndësishme të turizmit në Europën Juglindore.

“Ne jemi të bindur se në rrugën tonë kemi edhe të meta, por ne nuk gabojmë kurrë tek besimi që kemi tek ju”, tha Berisha, ndërsa shprehu bindjen se në 8 maj Shkodra dhe Shqipëria do të votojnë blu.