Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 13:18

Fundi i vitit po afrohet dhe këngëtarja Zanfina Ismaili do të jetë më e përgatitur se kurrë, pasi ajo gjatë kësaj kohe bënë të ditur se ka nisur punën për projekte të reja muzikore të cilat do t’i shpalos në programet e Vitit të Ri. Mbase ka gjasë që njërin nga këto projekte siç është një këngë bashkë me videoklip ta plasoj edhe para programeve të fundvitit.

“Natyrisht se angazhimet shtohen dukshëm kur kemi të bëjmë me programet e festave të fundvitit. Por unë për këtë vit kam në plan disa projekte dhe një videoklip. Uroj që të pëlqehen në publik”, ka thënë ajo për “Zëri”. Zanfina përveç përkushtimit ndaj projekteve muzikore, nuk është e angazhuar në asnjë aktivitet tjetër, ku edhe ajo si shumë kolegë të saj nuk do të jetë pjesë e fushatave të asnjë subjekti politik.

Ndonëse këngëtarja nuk e mohon faktin se ka pasur disa oferta për të qenë pjesëmarrëse me këngë në parti politike, mirëpo të gjitha ofertat i ka refuzuar. “Nuk kam qenë e interesuar të performoj në asnjë fushatë të partive politike. Jam shumë e angazhuar me punët e mia që nuk më lidhin fare me politikën”, shton ajo.

Ndërkaq sa i përket jetës private, Zanfina nuk preferon të zbuloj asgjë, duke na thënë se vazhdon të jetë mirë dhe të ketë një jetë të lumtur me personat që ka pranë. “Jam një tip që asnjëherë nuk preferoj të flas në opinion për jetën time private. Kjo pjesë e jetës është diçka që më takon vetëm mua dhe kështu dëshiroj të mbetet. Nuk dua që jetën time private ta ekspozoj tek të tjerët, dua ta jetoj dhe ta shijoj vetëm unë, prandaj edhe quhet jetë private”, shprehet në fund ajo.