Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 09:31

Vaktet e lehta të pa nevojshme, mos ngrënia e mëngjesit dhe uria e tepërt që ju gërryen, janë zakonet më të këqija që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin tuaj. Ka disa arsye përse këto tre zakone janë të dëmshme, megjithatë gjëja më e mirë që mund të bëni është të hiqni këto zakone dhe t’i transformoni ato në një dietë të ekuilibruar.

Jeta kaotike, problematikat, ekonomia dhe stresi janë disa nga arsyet kryesore të cilat e nxisin një individ të përqafojë zakonet e këqija të të ushqyerit, pasojat e së cilës ndikojnë në lëkurën tuaj, shëndetin dhe përshpejtojnë procesin e plakjes.

Shikoni disa nga zakonet më të këqija të të ushqyerit dhe mësoni pastaj se si të ushqeheni mirë, të qëndroni të rinj dhe të shëndetshëm.

1. Mos hani në mëngjes.

Njerëzit ndoshta janë lodhur nga ajo këshilla që mëngjesi është vakti më i rëndësishëm për organizmin tuaj, por asnjëri nuk mund ta imagjinojë se sa rëndësi ka marrja e kalorive në mëngjes. Lind pyetja: ‘Pse është një mëngjes kaq i rëndësishëm?’. Mëngjesi ju ndihmon nëse doni të bini nga pesha. Si? Studimet tregojnë se procesi i djegies së yndyrës është më aktiv në mëngjes se sa në mbrëmje. Gjithashtu do t’ju ndihmojë të filloni ditën tuaj me optimizëm dhe do të rrisë aftësinë e metabolizmit tuaj për të djegur yndyrën dhe kaloritë.

2. Mos konsumoni ushqime të rënda përpara se të shkoni në shtrat.

Tashmë e dimë të gjithë që nëse ngopemi me ushqim, gjumi do të jetë edhe më i mirë, por shpesh herë ai mund të shkaktojë edhe probleme të rënda, madje edhe pagjumësi. Nëse hani shumë gjatë darkës, organizmi juaj nuk do të mundet ta përpunojë gjithë ushqimin dhe ju përveçse do të bëni një gjumë jo të rehatshëm, por edhe do të shëndosheni. Por, kjo nuk do të thotë që ju duhet të bini të flini me stomakun bosh. Hani perime me proteina së paku 3 orë para se të bini të flini dhe evitoni konsumimin e sheqernave dhe karbohidrateve.

3. Të ushqyerit ndërmjet vakteve.

Të ngrënit ushqim midis vakteve është bërë një zakon shumë i keq për shkak të zgjedhjes së gabuar që bëjnë njerëzit kur zgjedhin ushqimet për këtë vakt. Zgjedhjet që bëhen zakonisht janë: patatet e skuqura, ëmbëlsirat, biskotat apo ushqimet e tjera të pjekura. Për të shmangur të ushqyerit e tepërt, ka shumë rëndësi që në këtë vakt të lehtë që ju do konsumoni të zëvendësoni ushqimin me fruta si rrush, arrë kokosi, karrota etj.

4. Ngrënia e ushqimit shpejt.

A e keni vënë re ndonjëherë mënyrën se si ju ushqeheni? Në qoftë se jo, atëherë është koha që të vëzhgoni mënyrën se si ju ushqeheni dhe të hani dalëngadalë. Shkencëtarët thonë që të ushqyerit shpejt është një nga arsyet kryesore që njerëzit shëndoshen dhe bëhen obez. Meqenëse truri ka nevojë rreth 15-20 minuta  për të çuar sinjalin e ngopjes, ju do të vazhdoni të merrni më shumë kalori se zakonisht dhe do të shëndosheni. Prandaj ka ardhur koha që të harroni këtë zakon dhe të ushqeheni ngadalë.

5. Nuk pini ujë sa duhet.

Uji është me rëndësi jetike. Çdo qelizë në trupin tuaj ka nevojë për ujë që të funksionojë ashtu siç duhet. Lodhja, migrena, lëkura e thatë, problemet e veshkave, presioni i parregullt i gjakut, janë disa nga efektet që shkakton dehidratimi. Uji ka një serë përfitimesh shëndetësore. Uji ju ndihmon të humbni në peshë, e bën lëkurën tuaj të duket më e bukur dhe e shëndetshme, ndihmon në proçesin tretës, në heqjen e lodhjes dhe migrenës dhe redukton rrezikun e kancerit në zorrën e trashë. Ekspertët sugjerojnë se një person duhet të pijë 2 litra ujë në ditë (8 gota ujë). Gjithashtu kur keni ndjenja urie, në vend që të filloni për të ngrëne, pini një gotë ujë sepse ndjenja e urisë mund të jetë shenjë dehidratimi.

6. Uria që ju gërryen.

Uria që po ju gërryen nga brenda është një nga zakonet më të këqija që mund të shkaktojë pasoja katastrofike nëse e mbani për një kohë të gjatë. Në mënyrë që të kemi funksione normale jetësore si, frymë marrja apo presioni i gjakut ose për riparimin qelizor, një femër ka nevojë për 1200 kalori në ditë, ndërsa një mashkull për 1500 të tilla. Të qëndruarit për një kohë të gjatë pa ngrënë ushqim mund të shkaktojë shenja dobësie, të vjella, marramendje, ankth, depresion. Me gjithë këto mënyra në dispozicionin, ju nuk keni nevojë aspak të bëni eksperimente të rrezikshme me shëndetin tuaj. (LajmeShqip.com)