Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 10:31

Vlorë – “Rock On & Motor Show” emërtohej programi i aktiviteteve të mbrëmjes së të premtes, të zhvilluara në kuadrin e çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, që starton zyrtarisht sot.

Atmosfera e muzikës rock “live” dhe prania e motoçiklistëve të grupimit “Steel Wings”, plotësoi mbrëmjen e djeshme sheshin e Skelës në këtë qytet, ku ishin të pranishëm qindra qytetarë të moshave të ndryshme. Në skenën e improvizuar në skajin jugor të këtij sheshi, të pranishmit ndoqën muzikë të zgjedhur të interpretuar nga këngëtarë italianë, ndërkohë që motoçiklistët me garën dhe paradën e tyre i dhanë kësaj mbrëmjeje ngjyra të veçanta.

Krahas kësaj, tablonë e festës e plotësuan edhe parashutistët e “Albanian open” që janë pjesëmarrës në çelje të këtij sezoni, sikundër edhe në 7 vitet e fundit.

Drejtori i Turizmit në Bashki, Ilir Metaj, tha se programi i çeljes së sezonit turstik është i ngjeshur dhe gjatë ditës së sotme janë planifikuar edhe mjaft aktivitete sportive, ndërkohë që Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival” do të startojë ditën e sotme dhe do të vazhdojë gjatë tre netëve me rradhë.