Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 22:03

Tiranë – Persona publikë, si këngëtarë, drejtues televizivë, gazetarë, aktorë etj., ata që zakonisht i quajmë Vip-a, i shikojmë këto ditë shpesh në faqet e gazetave, kësaj here duke shijuar pushimet e tyre të verës.

Në gazetat me thashetheme për Vip-at, por jo vetëm në to, të shumta janë fotografitë e tyre në plazhet shqiptare apo në bregdetet e qyteteve europiane. Angazhimet e tyre edhe gjatë verës, kryesisht për këngëtarët të cilën në sezonin e verës kanë edhe fluksin më të madh të koncerteve, i “detyrojnë” ata të zgjedhin për të pushuar bregdetin shqiptar, duke alternuar kështu pushimet me punën.

Drejtuesi televiziv Ardit Gjebrea, në këtë fillim gushti, së bashku me familjen e tij kanë zgjedhur edhe për këtë vit plazhin e Kemerit në Turqi për të kaluar pushimet e tyre. Në emisionin e tij, ai ka pohuar se ky është një nga vendet e preferuara të tij të cilin e frekuenton çdo verë.

Këngëtarja Manjolla Nallbani, edhe pse preferon që të udhëtojë shpesh gjatë fundjavave, është muaji gusht ai që i mundëson pushime më të gjata me familjen e saj. Për këtë vit ajo ka zgjedhur të pushojë në Spanjë, në plazhet e mrekullueshme të këtij vendi.

Spanja është destinacioni i pushimeve edhe për këngëtaren Orinda Huta dhe këngëtarin dhe drejtuesin televiziv Turjan Hyska. Pasi kanë shijuar disa fundjava në bregdetin shqiptar, kryesisht në Dhërmi, ata i janë drejtuar këtë fillim muaji Spanjës.

Politikanët nuk qëndrojnë larg fokusit të mediave edhe gjatë pushimeve të tyre. Ata shpesh fotografohen, jo më me kostumin e politikanit, por duke shijuar pushimet e tyre në bregdet. Deputeti Blendi Klosi ka zgjedhur edhe për këtë vit Turqinë për të kaluar pushime me familjen e tij.

Turqia, falë komoditeteve që të ofron është destinacioni i preferuar për shumë Vip-a, siç është edhe për çiftin e artistëve nga Kosova Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Këta të fundit jo vetëm do të pushojnë në bregdetin e Antalias, por Braha edhe do të këndojë muzikë shqiptare për publikun e huaj në një kompleks turistik.

Drejtuesja televizive, Alketa Vejsiu, është larguar për pak kohë nga ekrani për t’iu përkushtuar djalit të saj që ka pak që ka ardhur në jetë, ndërkohë që pushimet verore ka zgjedhur t’i kalojë në Itali. Vejsiu pritet të kthehet përsëri në ekran në shtator, me një format të ri televiziv.

Këngëtarja e disa hiteve të momentit, Elvana Gjata, mes koncerteve të shumta në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi ka zgjedhur të pushojë me familjen e saj në jug të vendit.

Edhe pse Vip-a të shumtë, për shumë arsye, nuk e “braktisin” bregdetin e Shqipërisë pjesa më e madhe e tyre e frekuentojnë atë kryesisht fundjavave, ndërsa kur bëhet fjalë për pushime të gjata, të shumtë janë atë që preferojnë bregdetin e Turqisë, Spanjës, Italisë etj.