Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 16:49

Tiranë – Regjisorja më e famshme shqiptare është e kujdesshme që dhe në intervistat e dhëna të mos i përmend 61 vitet e saj.

Sikur ta kishin pyetur, me siguri që Vera Grabocka nuk do të kishte dashur kurrë ta fusnin në listën e personaliteteve që trajtohen me pensione speciale nga qeveria shqiptare.

Jo vetëm sepse është në formë të shkëlqyer fizike dhe duket shumë larg asaj fjalës vrastare “pension”, por edhe për faktin se është ende mjaft aktive në punën e saj si regjisore spektaklesh të mëdha televizive, së fundmi në megaproduksionin e televizionit Klan “X Factor”.

Por mesa duket askush nuk e ka pyetur. Dhe hartuesit e Vendimit të Këshillit të Ministrave, miratuar në mbledhjen e të mërkurës, kanë menduar se nuk kishte si të mbetej jashtë listës prej 15 emrash të artistëve e shkrimtarëve dhe një emër si ky i Grabockës.

Në vendimin “Dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”, mes personaliteteve të artit, kulturës dhe të historiografisë e shkencës shqiptare Vllasova Musta, Ermir Krantja, Zyliha Miloti, Vladimir Prifti, Gulielm Radoja, Zef Shoshi etj, spikaste emri i Vera Grabockës. Për arsyen e thjeshtë, sepse nga pamja e saj fizike nuk e duket aspak moshatare me asnjë nga personalitetet e mësipërme. Përkundrazi, ajo shfaq një freski të admirueshme dhe forma fizike që me siguri duhet t’ia kenë zili edhe konkurrentët njëzetëvjeçarë të “Faktorit X”.

Prej tre vjetësh Vera Grabocka është bërë gjyshe. Vajza e saj Linda, që jeton në Amerikë, është nënë e dy djemve të vegjël, duke e bërë Grabockën gjyshe. Regjisorja nuk e ka fare kompleks këtë fakt, përkundrazi, është mjaft e lumtur që po shijon këtë rini të dytë me nipërit në krah. Megjithatë, ajo është e kujdesshme që dhe në intervistat e dhëna së fundmi të mos i përmend 61 vitet e saj dhe madje as fjalën pension, pavarësisht se është aktive gjithmonë. Dhe me siguri, nëse do e kishin pyetur, kurrsesi nuk do të pranonte të “nderohej” nga qeveria me pensionin suplementar. / MAPO