Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 07:53

Megjithëse doktorët e kishin paralajmëruar më parë, vdekja e saj na ka tingëlluar si një lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm.

Këngëtarja e famshme 27-vjeçare u shpall e vdekur nga mjekët rreth orës 15:54 të ditës së djeshme, në shtëpinë e saj në Londër. Vdekja e saj dyshohet të jetë pasojë nga ovërdoza.

Zëdhënësi i këngëtares së ndjerë ka bërë një deklaratë duke thënë:

“Kushdo që kishte lidhje me Amyn është i shokuar dhe ndihet shpirtërisht i shkatërruar. Ne po lutemi për shpirtin e saj. Familja e Amyt do të bëj një deklaratë në momentin kur të ndjehet gati.”

Babai i saj, Mitch, me të cilin ajo kishte një lidhje shumë të ngushtë, ndodhej në New York kur është njoftuar për fatin e vajzës së saj. Ai është nisur menjëherë për në Londër.

Kohëve të fundit, Amy i kishte anuluar të gjitha koncertet e saja dhe angazhimet e tjera publike, për shkak të problemeve të shumta me alkoolin.

Por shfaqja e saj e fundit në publik ka qenë këtë javë, kur ajo u ngjit në skenë për të mbështetur mbesën e saj, Dionne Bromfield, që këndonte në një koncert për iTune.

Gjatë karrierës së saj ajo ka kaluar një sërë problemesh lidhur me alkoolin dhe drogën. Gjithashtu, ka patur probleme me çrregullime në ngrënie dhe e diagnostikuar si maniake depresive, gjë për të cilën ajo ka refuzuar të marrë mjekim.

Mbas këtyre problemeve ajo shumë shpejtë u bë e famshme për skandalet e shfaqjeve të saj në publik. Stili i flokëve të saj, ngjyrosja me të zezë e syve dhe tatuazhet e shëmtuara në krahët e saj, u shndërruan në logon e vetë këngëtares.

Një nga lidhjet e saj që la shenjë në jetën e saj ishte martesa me Blake Fielder-Civil në Maj të 2007, në Miami. Dyshohet se ishte pikërisht bashkëshorti i saj që i prezantoi botën me kokainën. Të dy njiheshin për dhunën që ushtronin ndaj njëri-tjetrit kur ishin të intoksikuar. Ata u divorcuan në vitin 2009.

Këngëtarja e muzikës soul është konsideruar si një humbje shumë e thellë e kësaj rryme.

Në karrierën e saj të shkurtër ajo shkëlqeu me dy albume, i pari quhej “Frank” në vitin 2003 dhe i dyti “Back to Black” në 2006, që theu klasifikimet për javë të tëra.

Shumë kush ka shpresuar që vitet e fundit të mungesës së saj në skenë, ajo t’i ketë kaluar në Karaibe, duke shpresuar që atje do të kishte rigjeneruar energjitë për një material të mirë për albumin e ri.

Por demonët e saj ishin më të fortë se vetë ajo.

Kështu, ajo ju bashkua grupit të famshëm “Klubit të 27-ëve”, që vdiqën në këtë moshë pasi rrokën më parë kupën e famës: Kurt Cobain, Jim Morrison, Jimi Hendriz, Brian Jones dhe Janis Joplin.

U preftë në paqe shpirti i saj! (LajmeShqip.com)