Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 11:55

Ankara- Të ardhura në vlerë prej mbi 60 milionë dollarë ka fituar Turqia nga eksporti i televonevale turke, të cilat shikohen në mbi 20 vende të huaja, bëri të ditur “Huriet dejli njuz”.

Telenovelat si “Sulltani i madhërishëm” dhe “Pema e ndaluar” i shembin rekordet e shikuesve në vendet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore, ndërsa përveç që sjellin të ardhura në Turqi, ato e rrisin ndikimin e vendit në rajon përmes “pushtetit të brishtë”, shkruan gazeta.

Përveç në këtë rajon, telenovelat turke transmetohen edhe në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, mes të cilave në Maqedoni, Bullgari, Serbi, Kroaci, Çeki, Rumani, Poloni dhe hungaru, si dhe në Lindjen e Largët – Malajzi, Indonezi, Tajlandë, Singapor, Japoni dhe Vietnam.

Televizioni japonez madje edhe ka bërë një dokumentar për telenovelat turke dhe ndikimin e tyre mbi turizmin dhe eksportin.

Çmimi i një episodi nga telenovelat e caktuara turke varion mes 500 dhe 1.500 dollarë, deklaroi Ferat Gjylgen, drejtues i “Kalinos holding”, i cili realizon rreth 80 për qind të eksportit të telenovelave turke në vendet e huaja.

Revista “Tajm” e caktoi eksportin e serialeve turke si “sekreti i kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan”.

Sociologia Nylifer Narli nga Universiteti Bahçeshehir, e komenton lidhjen mes telenovelave turke dhe ndikimin e rritur të vendit në vendet e huaja, duke thënë se Turqia e ka rritur “pushtetin e brishtë” në Lindjen e Afërt dhe në vendet ballkanike.