Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 17:13

Ajo është një ndër aktoret që ka ditur të fitojë një rrugë të sigurtë drejt suksesit, por në jetë ka pasur edhe dështimet e saj. Megjithëse ajo mund të cilësohet si një ikonë bukurie, Charlize Theron nuk mundi dot të ishte pjesë e botës së modës.

Në një intervistë për revistën prestigjioze “Vogue”, aktorja hollivudiane ka folur për këtë dështim të jetës së saj dhe ka thënë: “Jam tepër e gjatë dhe jo me linja të holla, të denja për një modele, prandaj edhe çdo përpjekje e imja për të qenë pjesë e botës së modës ka dështuar”.

Kjo ka qenë ndër rastet e rralla që aktorja ka folur për rininë e saj të hershme dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të qenë modele.

“Kam qenë më e gjatë nga sa duhej për të qenë një modele në rininë time. Dhe jo  vetëm kaq, fiziku im tepër i bëshëm, jo vetëm për shkak të peshës, nuk më ka lejuar asnjëherë të jem modele, dhe nuk mund ta mohoj që kjo ka qenë një ëndërr imja e hershme”, ka deklaruar Theron.

Në vitet e rinisë së hershme të Theron kanë qenë në nisje të karrierës modele të tilla si Kate Moss, e cila sipas aktores Theron ka qenë e lakmuara nga agjentët e modës; ndërsa ajo vetë ka qenë larg këtyre imazheve perfekte të pasarelës.

Charlize e cila më pas gjeti vendin e saj në botën e filmit, ka rrëfyer se i ka kushtuar jo pak vëmendje ushqimit dhe është ushtruar intensivisht për të pasur një imazh perfekt, por asgjë nuk ka pasur ndikim në fizikun e saj që të mund t’i lejonte të bëhej pjesë e modës.