Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 10:00

Prishtinë – Një prej reperëve më të njohur në botë, The Game ka shkaktuar lëvizje tektonike të shtunën mbrëma, pasi rreth 3 mijë të rinj shqiptarë janë kënaqur me atmosferën e krijuar në sallën “1 Tetor” në Prishtinë.

Fillimisht performuan grupet kosovare të cilat nxehën atmosferën mjaft të ftohtë në fillim.

Ajo që vlen të përmendet ishte ajo që ndodhi para se të ngjitej në skenë The Game. Ishte beatboxer-i francez Eklips ai që vërtet mahniti publikun me performancën e tij të jashtëzakonshme, duke lënë gojëhapur të gjithë të pranishmit.

Dhe, saktësisht në ora 00:20, në skenë u shfaq The Game, i cili ende pa marrë si duhet frymë çmendi publikun. Në vazhdim ai performoi hitet e tij më të njohura dhe këngë të albumit të ri “R.E.D”. Performanca e tij zgjati 1 orë e 5 minuta dhe u shoqërua me ngjitje në skenë të vajzave nga publiku dhe me reperin që mbajti një djalosh shqiptar në krahët e tij.

Vazhdimisht gjatë performancës The Game komplimentoi publikun kosovar, duke thënë në një moment se po qe se do të lindte përsëri, do të kishte dëshirë të lindte si shqiptar.

Ishte ky një prej koncerteve më të mira të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, por i mungoi dhe ajo copëza finale e një top eventi botëror që ekzistoi në koncertet e Snoop Dogg dhe Busta Rhymes.