Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 16:30

Londër – Ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve BAFTA, u zhvillua në Royal Opera House të Londrës. Filmi pa zë ‘The Artist’ dhe aktorja amerikane Meril Streep ishin fituesit më të mëdhenj në ndarjen e çmimeve për kinematografinë në Britani, ceremonia më e popullarizuar jashtë SHBA-së që nderon filmat.

Filmi ‘The Artist’ fitoi shtatë çmime BAFTA, përfshirë atë për filmin më të mirë, duke rritur shpresat për rrëmbimin e çmimeve edhe në ndarjen e çmimeve Oskar. Aktori më i mirë në kategorinë e meshkujve u shpall francezi Jean Dujardin për interpretimin në këtë film, duke lënë duarbosh aktorët si Brad Pitt, George Clooney, Gary Oldman dhe Michael Fassbender.


Meryl Streep u nderua me çmimin për aktoren më të mirë në portretizimin e ish kryeministres britanike Margaret Thatcher, në rolin e një politikaneje në kulmin e karrierës së saj politike, por edhe të një zonje të vjetër dhe të brishtë në filmin ‘The Iron Lady’. Ky është çmimi i dytë Bafta në karrierë për Streep pas atij të fituar në vitin 1981 për interpretimin e filmit ‘The French Lieutenant’s Woman’.

Filmi ‘The Artist’ u shpall si më i miri, ndërsa çmimi për regjisorin më të mirë i shkoi Michel Hazanavicius, regjisorit të ‘The Artist’.