Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 15:37

Londër – Të izoluara mirë, hapësirat më të vogla ajrosen më së vështiri, ndërsa rritja e lagështisë në shtëpi mund të jetë e rrezikshme për shëndetin për shkak të kushteve të favorshme për t’u zhvilluar myku, theksojnë ekspertët.

Në ditë e ftohta në shumicën e shtëpive rrobat thahen brenda, por sipas hulumtimit më të ri kjo mund ta dëmtojë shëndetin, shkruan Daily Mail. Dy të tretat e njerëzve rrobat e veta i than afër radiatorit ose në të, çka rrit nivelin e lagështisë për 30 për qind në shtëpi gjatë kohës së tharjes së rrobave, ndërsa për 15 për qind mesatarisht. Për këtë arsye hapësirat më të vogla që janë të izoluara mirë ajrosen më vështirë.

Me këtë rritet mundësia për zhvillimin e mykut, i cili mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin. Në shtëpi ekzistojnë rreth dhjetë mijë forma të mykut, por vetëm dhjetë prej tyre shkaktojnë probleme shëndetësore, më së shpeshti sinusit, bronkit dhe gjendjet e tjera respiratore, si edhe alergjitë. Myku është formë e kërpudhave, i cili formohet kudo, ku është lagështia e bllokuar, por më së shpeshti rreth dusheve, kuzhinës dhe makinës për rroba. Po ashtu, myku shumë lehtë zhvillohet në tapeta, dysheme dhe rreth xhamave të dritareve, theksojnë ekspertët.

“Myku mund të zhvillohet në çdo shtëpi të ajrosur dobët, pavarësisht madhësisë së shtëpisë, por më së shpeshti atje ku ‘rrjedh’ lagështia”, – ka theksuar profesori i mikologjisë mjekësore, Malcolm Richardson nga Universiteti në Manchester.

Thithja e sporeve të mykut mund të rezultojë me infeksionin i cili dobëson imunitetin, por edhe shkakton reaksione alergjike, veçanërisht astmë, sepse sistemi i imunitetit reagon në spore pasi që ato gjejnë rrugën e vet deri te rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Simptomat e problemeve me myk përfshijnë kollën, lodhjen e vazhdueshme, irritimin e syve dhe të fytit, dhimbjen e kokës, irritimin e lëkurës dhe marramendjen.

Për shkak të lagështisë së rritur për shkak të tharjes së rrobave në shtëpi, e rëndësishme është që çdo ditë të ajrosni shtëpinë dhe sipas mundësisë sidomos atje ku mbetet lagështia. Nëse në banjë nuk keni dritare, ndizeni ventilimin. Biocidet (pesticidet për kërpudha) janë po ashtu shumë efikase, theksojnë ekspertët britanikë. Por pas përdorimit të tyre është e rëndësishme të ajroset mirë shtëpia, sepse mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Në banja dhe kuzhina këshillojnë përdorimin e ngjyrës, e cila përmban inhibitorët e mykut, sepse kështu parandalojnë formimin e tij. Po ashtu, e rëndësishme është që kudo ku futet lagështia të rregullohen muret ose izolimi, sepse lagështia përhapet lehtë dhe shpejt. Në largimin e saj do të ndihmojë edhe zbardhuesi.(LajmeShqip.com)