Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 19:34

Tetovë – Roboti që shkruan dhe që e njeh relievin, është krijimi më i fundit i tre studenteve të Inxhinierisë Kompjuterike: Arlinda Imeri, Fjolla Iljazi dhe Mjaftime Alili. Projektin e ndërtimit të robotit e kanë realizuar në kuadër të punimit të diplomës, me ndihmën e mentorit Azir Aliu. Roboti është ndërtuar duke shfrytëzuar paketën e LEGO Mindstorms NXT 2.0, me qëllim të krijimit të një projekt “real “ dhe “fizik” në lëmin e robotikës, duke ikur nga format tradicionale abstrakte që hasen tek projektet në përgjithësi.

“Objektivi jonë është që ky punim të jetë një nismë për hulumtimet e ardhshme që do t’i bëjmë në lëmin e robotikës, si dhe të rrit entuziazmin dhe interesimin tonë për të shfrytëzuar programimin si mjet për t’i vënë në lëvizje këto pajisje. Të mundësojmë që këto pajisje të hynë në universitetin tonë dhe t’u shërbejnë studentëve të ardhshëm si vegël mësimi dhe hulumtimi në lëmit përkatëse, duke shfrytëzuar metoda të ndryshme zbavitëse dhe interesante”, thonë studentët. Sipas tyre, së shpejti në UEJL, do të formohet një “ROBOT CLUB”, ku studentët do të kenë mundësinë t’i shprehin idetë dhe aftësitë e tyre.