Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 13:29

Pekin –Mbyllja në kutinë e “fundit të jetës” mund të përfytyrohet si një përvojë e tmerrshme, por jo për kinezët, që e kanë kurën për të luftuar stresin.

Bëhet fjalë për një kurë të re që lufton stresin dhe arsyeja se, përse pranojnë që të mbyllen në një kuti (arkivol) që normalisht nënkupton “fundin e jetës”, është se kërkojnë të “rilindin”. Sipas Tang Yulong, psikolog, problemet psikologjike mund të zgjidhen duke simuluar vdekjen.

Njerëzit hyjnë në arkivol, mbulohen me një batanije të bardhë dhe qëndrojnë pa lëvizur. Përpara se të “rilindin” u kërkohet që të shkruajnë fjalët e tyre të fundit. Pesë minuta më pas, një e qarë fëmijë do të thyejë heshtjen dhe psikologu do të hapë arkivolin me një melodi të gëzueshme.

Deri tani, ky trajtim është provuar nga më shumë se 1 mijë persona, megjithatë Yulong thotë se jo të gjithë njerëzit mund ta përballojnë një përvojë të tillë. Vetë 35-vjeçari e bëri këtë lloj terapie pasi përjetoi disa probleme të shëndetit mendor dhe tentoi disa herë t’i jepte fund jetës. Terapia e ndihmoi të kalonte problemet e tij dhe sot, punon si vullnetar në klinikë.(LajmeShqip.com)