Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 08:31

Nuk ndodh rrallë që dikush është bërë më i famshëm që herët e dikush më pas. Kështu ka ndodhur me shumë personazhe të njohur, por ne po ju tregojmë vetëm disa prej tyre.

 

Vëllezërit Topi

Doktor Flamur Topi njihet prej vitesh si një nga mjekët më popullor në vend. Në popullaritetin e tij ka ndikuar edhe ekrani i televizionit, me drejtimin e emisionit mjaft të shikueshëm dhe të debatueshëm “Trupi dhe shëndeti”. Ndërsa i dyti është ai, Presidenti i vendit. Për të mund të thuhet se gëzon një popullaritet të madh. I diplomuar në degën e veterinarisë, deri në vitet ’90 nuk njihej gjërësisht, përveçse si pedagog në Universitetin e Kamzës. Shumë shpejt ai u përfshi në rradhët e Partisë Demokratike, ku arriti dhe kupolën drejtuese të saj. Karriera e tij politike shënoi majën më të lartë kur u zgjodh President i vendit në 2007.

Edhe pse shumëkush mund të mos e dijë, ato janë vëllezër pavarësisht se nuk ngjajnë shumë, ndoshta edhe për shkak të diferencës së madhe të moshës që kanë.

 

 

Motrat Bregu

Ato janë dy motrat më të përfolula në mediat e shkruara. Dy motra ndryshe për sa i përket profesionit dhe imazhit të tyre. Fjala është për për Majlinda Bregun, Ministre e Integrimit dhe Ornela Bregun, prezantuese.

Fillimisht të dyja janë bërë të famshme nga ekrani. Më të madhen, Majlindën, e kemi parë në rolin e gazetares, dikur spikere në ekranin e TVSH-së, më pas pedagoge, ideatore dhe drejtuese e një emisioni në televizion, ku nuk pati ndonjë sukses të madh. Me sa duket, aty ku mund të jepte më shumë ishte fusha politikës, ku nga anëtare e “KOP”-it arriti të dilte deputete ne vitin 2005 dhe më pas, ministre e kabinetit “Berisha 2”. Por Ornela kishte fituar më shumë popullaritet se sa Majlinda vite më parë, pasi njihej si një nga prezantueset më të lakuara të kohës, e ndërsa shquhej gjithnjë për fizikun e saj dhe linjat perfekte. Pas shumë spektakleve, mes të cilave “Telebingo” apo “Portokalli”, prej kohësh është duke mos u shfaqur asgjëkundi, ndoshta duke iu dedikuar totalisht familjes së saj.

 

 

Gazetarët Balla

Ata i përkasin të njëjtit profesion, edhe pse janë të moshave dhe të karaktere të ndryshme. Bëhet fjalë për vëllezërit Sokol dhe Rezar Balla. I pari që ka nisur karrierën në fushën e medias është sigurisht më i madhi. Sokoli, i cili, me sa duket, ia ka futur në gjak profesionin e gazetarit edhe të vëllait (duke bërë që ky i fundit të devijojë nga baleti drejt gazetarisë). Pas një sërë eksperiencash në mediat e shkruara, Balla i madh (pasi thonë se gazetarët më të mirë të televizioneve janë gjithnjë ata që vijnë nga media e shkruar), u specializua në median ndërkombëtare të BBC-së. Prej shumë vitesh ka mbajtur pozicionin e drejtorit të informacionit në televizione të ndryshme. Aktualisht moderon një prej emisioneve politike më të ndjekura, “Top Story”, si dhe luan rolin e analistit politik në mediat e shkruara dhe ato elektronike. Pak a shumë, kështu po ndodh edhe me Rezarin, i cili shquhet si një ndër gazetarët politikë mjaft profesionist në Televizionin Publik Shqiptar. Edhe pse i ri në moshë, me pak eksperiencë, duket që rrugën drejt suksesit e ka nisur mbarë.