Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 10:34

Tatuazhet mund të  jenë në trend më shumë se kurrë, por mos e merrni edhe lehtësisht këtë punë! Është mjaft e rëndësishme që të njiheni me rreziqet dhe të kuptoni masat parandaluese, si dhe hapat për mirëmbajtje.

Ju mund të jeni pronar i një tatuazhi brenda disa orësh, por mos lejoni që kjo t’ju pengoj që të mendoheni mirë para se të vendosni për këtë art të përhershëm në trupin tuaj. Nëse ju ndërmerrni hapa për t’a mbrojtur veten nga rreziqet e mundshme, atëherë ajo që sot ju duket moderne ka më pak gjasa të bëhet shkaktar për pendimin tuaj të mëvonshëm.

Si bëhen tatuazhet
Shumica e njerëzve nuk dinë se si bëhet tatuazhi. Tatuazhi është një shenjë ose vizatim i përhershëm në lëkuren tuaj, me pigmente që injektohen përmes gjilpërave nën shtresën sipërfaqësore të lëkurës suaj. Më shpesh, artistët e tatuazheve përdorin një makinë dore e cila vepron ngjashëm me makinën e qepjes, me një apo më shumë gjilpëra që shpojnë lëkurën vazhdimisht. Me çdo shpim, gjilpërat lëshojnë ngjyrë. Ky proçes i cili bëhet pa anestezi dhe që mund të zgjasë disa orë për tatuazhe të mëdha, shkakton gjakderdhje të vogël dhe dhembje.

Njihuni me rreziqet
Tatuazhet prishin integritetin e lëkurës, që do të thotë se infeksionet dhe komplikimet e tjera të lëkurës janë të mundura. Rreziqet specifike përfshijnë:

-Reagime alergjike
Ngjyrat që përdoren për tatuazhe, veçanërisht ngjyra e kuqe, mund të shkaktojë reagime alergjike të lëkurës, duke shkaktuar skuqje dhe kruarje në vendin e  tatuazhit. Kjo dukuri mund të paraqitet edhe disa vite pas tatuazhit.

-Infeksionet e lëkurës
Tatuazhet mund të shkaktojnë infeksione lokale bakteriale, që karakterizohen me skuqje, dhimbje dhe mbledhje të qelbit.

-Sëmundjet e gjakut
Nëse pajisja që përdoret për tatuazh është e kontaminuar me gjak të infektuar, ju mund të merrni ndonjë sëmundje të gjakut, duke përfshirë hepatitin B, hepatitin C, tetanusin dhe HIV-in, virusin që shkakton sidën (AIDS). (LajmeShqip.com)