Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 10:15

“Dashuria fillon”, është një klip që jorastësisht është titulluar kështu nga Ernest Duka, djali 29 vjeçar i njohur me emrin Stine. Klipi i sapo-publikuar është një bashkëpunim me këngëtaren 19 vjeçare nga Kosova, Adelina Berisha, me të cilën këngëtari ka nisur një lidhje dashurie. Një takim i rastësishëm gati një vit më parë ka vlejtur për më shumë se kaq. Adelina dhe Stine kanë realizuar këto ditë këngën “Dashuria fillon”, një krijim që përjetëson fillimin e një historie dashurie. Kjo është e dashura aktuale e Stines dhe bashkë ndihen mirë në krah të njëri-tjetrit. Ata janë njohur në Kosovë, nëntorin e kaluar gjatё xhirimeve tё klipit të përvitshëm për Vitin e Ri.

Që nga ai takim i rastësishëm, ata i ruajtën kontaktet fillimisht si shokë, ndërsa janë takuar më vonë gjatë udhëtimeve të tij në Prishtinë, ku ai udhëtonte shpesh për përgatitjen e albumit të ri. Po ashtu edhe këngëtarja ka udhëtuar shpesh drejt Tiranës, së bashku me nënën e saj, ku ka pasur dhe mundësi të njihet më shumë me Stinen. Edhe pse kishin një vit që ruanin miqësinë si shokë, ata kanë hyrë në intimitet tani vonë, në mbyllje të fushatës zgjedhore në Kosovë. Nuk dihet se si do të shkojë më tej lidhja e tyre, por ndërkohë Stine është duke punuar për këngën më të re të Adelinës dhe ka menduar ta marrë në menaxhim si këngëtare. Duket si një lidhje që ka nisur bukur,  kjo edhe për faktin që janë të dy në të njëjtin profesion dhe mbase kuptohen mirë si çift.

Por lidhja e re nuk e ka penguar Stinen që të përfundoj në kohë klipin e tij të radhës, që i kushtohet pikërisht asaj, të komentuar si lidhja më e gjatë e Stines, pasi zgjati plot tre vjet. Këngëtari është në dilemë nëse mund ta titullojë “Urimi më i mirë” apo “Gëzuar Vitin e ri”. Dhe jo pa qëllim këta tituj, po për faktin se kantautori u njoh me Rozën natën e Vitit të Ri katër vite më parë dhe u nda një vit më parë. E tani që Roza nuk është më pjesë e jetës së tij, ka vendosur t’i bëjë këtë dhuratë publike, ku mund të gjejnë veten shumë të ndarë të tjerë.

Ndërkohë që kanë nisur xhirimet e klipit nё Tiranë, kantautori ka preferuar t’i mbajë sekret vargjet deri në publikimin e këngës.