Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 08:01

Tiranë – Sot për sot duket se sandalet janë ndërkombëtarizuar në modë, sepse sipas stilistëve, ato kombinohen në mënyrë harmonike me çdo lloj veshje.

“Ato japin feminilitet, prakticitet dhe elegance, aq më tepër kur në stinën e nxehtë më e rëndësishmja është të harrosh veshjet serioze dhe të ndihesh sa më rehat”, shprehen stilistët.

Femra të reja, sportive në tip apo klasike në Shqipëri, duket se i përdorin sandalet në një masë të konsiderueshme.

Në këto ditë të nxehta, në Tiranë, një mori dyqane këpucësh, ofrojnë seri modelesh dhe tendencash nga më të fundit; me copë të qëndisur, të zbukuruara me lule dhe fjongo, modele të thjeshta vetëm me lëkurë apo edhe në stilin romak. Përsa i takon ngjyrave, dyqanet e Tiranës ofrojnë shumëllojshmëri ngjyrash, veçanërisht ngjyrat e gjalla, si: ngjyra e  bardhë, bezhë, kafe, portokalli, ngjyra e verdhë, jeshile, blu, e kuqe, ngjyra e argjendtë, por sigurisht duket se gjithnjë mbetet e mirëpritur ngjyra e zezë.

Stilistët këshillojnë se këto lloj sandalesh mund të shoqërohen me pantallona të gjata, pantallona të shkurtra, funde të shkurtra por edhe të gjata .

Sandalet në verën 2011, kombinohen në mënyrë harmonike me një fustan sportiv dhe rinor, pasi janë të dizajnuara me ngjyra të modës dhe të realizuara me materiale të një cilësie të lartë.